THIRRJE PËR APLIKIM
Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren nëpërmjet Qendrës së Karrierës dhe Alumnit, në bashkëpunim me Qendrën e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim (ATRC), shpall thirrje për studentët e vitit të tretë apo të katërt të studimeve në Fakultetin Juridik të Universitetit “Ukshin Hoti”, të aplikojnë për angazhim në monitorimin e rasteve gjyqësore në Gjykatat e Republikës së Kosovës. Ky angazhim synon të ngrisë kapacitetet profesionale të studentëve përmes monitorimit të rasteve gjyqësore, përveç të tjerash edhe me njohjen e procedurave gjyqësore që ndërlidhen me çështjet administrative në të gjitha instancat.
Ky aplikim mundësohet në kuadër të marrëveshjes që ka Universiteti “Ukshin Hoti” me ATRC, me ç’rast sipas kësaj marrëveshjeje shpenzimet e angazhimit të studentëve të Fakultetit Juridik në punë praktike do të mbulohen nga ATRC.
Kriteret dhe kualifikimet:
- Student/e i/e vitit të tretë apo të katërt në Fakultetin Juridik në Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren;
- Përparësi kanë studentët me notë mesatare më të lartë;
- Të posedojë aftësi profesionale të komunikimit në gjuhën shqipe (njohja e gjuhës angleze është përparësi);
- Të posedojë shkathtësi bazike të përdorimit të kompjuterit gjithashtu edhe të programeve si: Word, PowerPoint dhe Excel;
- Të posedojë dokumente identifikimi dhe llogari bankare.
*Për të aplikuar ju duheni të dërgoni këto dokumente:
– CV-në;
– Letrën motivuese;
– Transkriptën e notave.
Të gjitha aplikacionet duhet të dorëzohen vetëm në formë elektronike në emailin: [email protected] deri më 18 Mars 2022, ora 16:00. Subjekti i emailit duhet të jetë “Aplikim për monitorimin e rasteve gjyqësore”.
Vetëm aplikimet që i plotësojnë kriteret e lartpërmendura do të njoftohen për intervistë.