U konstituua përbërja e re e Senatit dhe u zgjedhën dekanët e rinj të njësive akademike të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren
Përbërja e re e Senatit të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, të enjten ka mbajtur mbledhjen e parë inaugurues. Në këtë mbledhje është zgjedhur Kryesues i përkohshëm i Senatit, për mbledhjen inauguruese, Prof. Ass. Drita Krasniqi, ndërsa kryesues i përkohshëm deri në zgjedhjen e Rektorit, Prof. Ass. Dr. Muharrem Faiku. Në mbledhja kanë marrë pjesë edhe anëtarët e Komisionit Zgjedhor, të caktuar nga Këshilli Drejtues për organizimin e Zgjedhjeve të Përgjithshme në Universitet.
Kryetarja e Komisionit Zgjedhor, Prof. Ass. Dr. Kimete Canaj, i uroi senatorët e rinj për fitimin e mandateve nga njësitë akademike, nga administrata dhe nga Parlamenti i Studentëve. Ajo theksoi se është nderë të qenit përfaqësues në këtë organ, pasi që Senati është organi më i lartë për çështje akademike në Universitet. Gjithashtu edhe kryesuesi i përkohshëm i Senatit i uroi për mandatet senatorët e rinj.
Në këtë mbledhje është votuar për zgjedhjen e dekanëve të njësive akademike. Prof. Asoc. Dr. Halil Kukaj është zgjedhur dekan i Fakultetit të Ekonomisë, Prof. Asoc. Dr. Samedin Krrabaj, dekan i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, Prof. Asoc. Dr. Isuf Lushi është zgjedhur dekan i Fakultetit të Shkencave të Jetës dhe Mjedisit, Prof. Asoc. Dr. Kadri Kryeziu dekan i Fakultetit Juridik dhe Prof. Asoc. Dr. Shkelqim Millaku, dekan i Fakultetit të Filologjisë.