Është nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim me Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Institucionin e Avokatit të Popullit
Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren sot ka realizuar në arritje të rëndësishme në fushën e bashkëpunimit ndër-institucional. Është nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim me Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Institucionin e Avokatit të Popullit.
Ky bashkëpunim do të fokusohet në fuqizimin e sektorit të drejtësisë në vend, me theks të veçantë në arsimin e lartë juridik. Në këtë kornizë, ndër tjera, është paraparë bashkëpunimi me këto dy institucione të rëndësishme, për programin e ri në Fakultetin Juridik, të nivelit Master, “Qeverisje Demokratike dhe Sundim i Ligjit”.
Kjo iniciativë synon të kontribuojë në formimin e profesionistëve të drejtësisë të aftë për t’u përgjigjur sfidave të shoqërisë moderne. Nëpërmjet këtij programi studimor, studentët do të kenë mundësinë të përfitojnë nga një gamë e gjerë lëndësh që i përgatit ato për rolin e tyre të rëndësishëm në drejtësi dhe qeverisje.
Ky bashkëpunim është një hap i rëndësishëm drejt bashkëpunimit ndërinstitucional dhe krijimit të një ambienti më të pasur akademik dhe profesional për të ardhmen e drejtësisë dhe qeverisjes në Kosovë. Universiteti “Ukshin Hoti” shpreh gëzimin e tij për këtë partneritet të rëndësishëm dhe angazhimin për të ndërtuar një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe produktiv me Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Institucionin e Avokatit të Popullit.