Hartimi dhe Rishikimi i Programeve të studimit
Programet e studimit në Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren janë modeluar në objektivat e kualifikimit. Këto përfshijnë aspekte të lidhura me lëndët dhe ndërdisiplinore si dhe përvetësimin e shkathtësive dhe kompetencave disiplinore, metodologjike dhe gjenerike. Aspektet i referohen sidomos kompetencave akademike ose artistike, aftësisë për të marrë punësim adekuat, duke kontribuar në shoqërinë civile dhe zhvillimin e personalitetit të studentëve.
Programet e studimit janë në përputhje me Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve dhe Kornizën për Kualifikimet e Zonës Europiane të Arsimit të Lartë. Komponentët individualë të programit kombinohen në një mënyrë që të arrijnë më së miri objektivat e specifikuara të kualifikimit dhe ofrojnë forma adekuate të mësimdhënies dhe të mësuarit.
Programet Studimore në Universitet i plotësojnë kriteret evropiane të cilësisë.
Hartimi i Programeve të reja Studimore hartohen në bazë të Planit Strategjik të Universitetit, Rregullores për Sigurimin e Cilësisë si dhe Udhëzuesit për hartimin dhe rishikimin e programit studimor dhe Udhëzuesit për hartimin dhe rishikimin e Sylabusëve.
Hartimi i Raportit të Vetëvlerësimit bëhet duke zbatuar dispozitat e Ligjit për Arsimin e Lartë, Statutin e Universitetit, Udhëzimet Administrative të MASHTI-t si dhe Manualin e Akreditimit të Agjencisë për Akreditim.
Hartimi i Programeve të reja Studimore:
Aplikimi për programe të reja studimore bëhet duke zbatuar kriteret e sigurimit të cilësisë të përcaktuara në Rregulloren për Sigurimin e Cilësisë.
Propozimet për programe të reja studimore iniciohen nga Këshillat e njësive akademike (ose akterë tjerë), duke u miratuar përmes Këshillit të fakultetit dhe Senatit. Aplikimi për themelimin e një programi të ri studimor mund të bëhet pas një studimi të mirëfilltë të arsyeshmërisë (studimit të fizibilitetit), dhe në përputhje me objektivat e Planit strategjik të Universitetit dhe Planit strategjik të fakultetit. Arsyeshmëria e hapjes së një programi studimor, argumentohet përmes hartimit të studimit të arsyeshmërisë. Studimi i arsyeshmërisë për programin e ri studimor miratohet fillimisht nga Këshilli i fakultetit, ndërsa përfundimisht miratohet nga Senati i Universitetit dhe Këshilli Drejtues i Universiteti, pas verifikimit të përshtatshmërisë të programit të studimit.
Studimi i arsyeshmërisë së programit të ri studimor duhet të përmbajë:
- Studimin e kërkesës së tregut të punës;
- Profilin e programit studimor;
- Përshtatshmërinë me Planin Strategjik të Universitetit;
- Përshtatshmëria me strategjinë nacionale të arsimit të lartë;
- Përshtatshmërinë me Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve (KKK);
- Përshtatshmërinë me trendet e arsimit evropian dhe botëror;
- Bartësit e programeve studimore, sipas kërkesave të parashtruara në manualin e AKA për akreditim (Thirrjen akademike të bartësit, profilin e studimeve të bartësit, numrin r punimeve në fushën përkatëse të bartësit të indeksuara në platformat Web of Science (koleksioni bërthamë SCIE, SSCI dhe AHCI) apo Scopus, duke përjashtuar revistat ose shtëpitë botuese të dyshimta).
Rishikimi i brendshëm dhe i jashtëm për riakreditim i programe ekzistuese studimore
Rishikimi i programe ekzistuese studimore bëhet duke zbatuar kriteret e sigurimit të cilësisë të përcaktuara në këtë rregullore.
Rishikimi i programeve studimore zbatohet së paku një (1) një herë në vit. Gjatë procesit të rishikimit të programit ekzistues së studimit, duhet të merren në shqyrtim:
- Treguesit Kryesorë të Performancës (TKP);
- Rezultatet e vlerësimit të programit studimor nga të diplomuarit;
- Rezultatet e vlerësimit të të diplomuarve nga punëdhënësit;
- Rezultate e vlerësimit të shkallës së punësimit të të diplomuarve;
- Konsultimi me Bordin Këshillues Industrial (BKI);
- Raporti i zbatimit të rekomandimeve të grupit të ekspertëve ndërkombëtar;
- Vlerësimi i lëndës;
- Vlerësimi i mësimdhënësit dhe asistentit;
- Plani strategjik i njësisë akademike;
- Instrumenteve tjera të cilësisë.
Rezultat i procesit të vlerësimit të programit ekzistues mund të jetë plotësimi/ndryshimi, shkrirja dhe shuarja.
Rishikimi i syllabuseve bëhet në baza semestrale, në bazë të Udhëzuesit për hartim dhe rishikim të syllabuseve.
Raporti i rishikimit të programit studimor propozohet dhe miratohet në Këshillin e fakultetit. Në rast të ndryshimit/plotësimit të programit, të njëjtat duhet të marrin miratimin e Senatit.