Ambasadori gjerman Rohde ka vizituar Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Jörn Rohde të enjten ka vizituar Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren. Gjatë takimit palët u dakorduan për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Universitetit, e në veçanti të departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane me shtetin gjerman. Ky bashkëpunim bilateral do të avancohet edhe në shumë aspekte tjera si me universitetet në Gjermani në fushën e shkëmbimit akademik, përmes DAAD, projekte të përbashkëta studimore, bursa studimore, vizita universiteteve në Gjermani por edhe pasurim të bibliotekës me literaturë të re në gjuhën gjermane.
Pastaj takimi vazhdoi edhe me një diskutim shumë konstruktiv të ambasadorit gjerman z. Rohde me studentët dhe stafin mësimdhënës të departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane.
Ambasadori Rohde është pritur nga Prof. Ass. Dr. Arsim Susuri – Prorektor për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe ngritje të cilësisë, Sekretari i Përgjithshëm LL.M. Nexhmedin Krasniqi, Dekani i Fakultetit të Filologjisë Prof. Asoc. Dr. Xhafer Beqiraj, Shefi i Degës së Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane Prof. Ass. Dr. Ilir Krusha, Senatori nga Fakulteti i Filologjisë Prof. Asoc. Dr. Izer Maksuti dhe Prof.Ass. Dr. Shpëtim Zymberaj.
Vlen të theksohet se shteti gjerman ka luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e Universitetit që nga themelimi .