image_pdfimage_print

Arta Sopaj

Arta Sopaj – studente e dalluar në Universitetin e Prizrenit

Arta, e njohur në Universitetin e Prizrenit si Arta e artë, është e lindur në Solothurn të Zvicrës, më 13 tetor të vitit 1995. Ajo ka mbaruar studimet në afat rekord me rezultate të shkëlqyeshme pranë Fakultetit të Filologjisë, Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë, Drejtimi Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në vitin akademik 2014/15 deri 2017/18. Arta ka qenë studentja e parë e diplomuar në Fakultetin e Filologjisë në UPZ. Ajo shquhet për talentin e saj të jashtëzakonshëm në fushën e Gjuhësisë si studiuese e vërtetë dhe e përkushtuar, për aftësitë organizuese dhe komunikuese, duke qenë se ka shërbyer edhe si përfaqësuese e studentëve përgjatë studimeve të saj. Krahas studimeve, ajo merret edhe me redaktime gjuhësore të punimeve të ndryshme.

Po ashtu, Arta ka qenë studentja e parë e regjistruar në Universitetin e Tiranës për të vazhduar studimet Master Shkencor në fushën e Gjuhësisë, duke shërbyer si urë lidhëse në mes të dy universiteteve, ku ka organizuar edhe bashkëpunime të frytshme në mes të Universitetit të Prizrenit dhe Universitetit të Tiranës. Pas mbarimit të studimeve Master i është ndarë certifikata si studente e dalluar e gjeneratës.

Ajo ka qenë pjesëmarrëse në Konferenca ndërkombëtare dhe trajnime të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, duke dhënë ndihmesa shkencore sidomos në fushën e Albanologjisë. Përveç gjuhës amtare, zotëron edhe gjuhën angleze dhe gjuhën gjermane. Në anën tjetër, mbahet mend për zellin dhe vullnetin në punimet me dorë, bukurshkrimin dhe kreativitetin e saj në krijimin e gjërave unike.

Ajo ka përfaqësuar Universitetin e Prizrenit në kuadër të Unionit të Studentëve të Kosovës, duke u përzgjedhur nënkryetare e Asamblesë së Studentëve të Kosovës dhe duke qenë kandidatja më e votuar në detyrën të cilën e ushtroi për një vit.

Arta momentalisht ndodhet në Gjermani, ku po bënë studimet e shkallës së tretë si kandidatja më e re për Doktoratë në një nga universitetet më prestigjioze në botë, në Universitetin e Humboldit në Berlin. Ajo vazhdon të merret me problemet e shqipes, duke marrë pjesë në projekte të ndryshme për gjuhën shqipe. Edhe atje Arta është e pandalshme, një ambasadore e shkëlqyer e Universitetit tonë dhe aktiviteti i saj atje po vlerësohet nga profesorët dhe ekspertët më të mirë të gjuhëve.

Puna e saj dhe angazhimi në Universitetin e Prizrenit, e bëjnë Artën të jetë një studente model për të gjitha gjeneratat. Arta është shembull i suksesit, ku veç anës profesionale, shquhet edhe për nivelin e lartë të edukatës dhe të mirësjelljes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Post comment