Ditët Informuese të programit Erasmus+ në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren
Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren mbajti të premten aktivitetin Ditët Informuese të programit Erasmus+, ku morën pjesë studentët dhe stafi i universitetit.
Ky aktivitet lidhet me promovimin e Erasmus+ dhe projektet e lidhura me të. Studentët e Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren u informuan për mundësitë që ky program u ofron atyre dhe stafit akademik.
U.d. Rektori Krrabaj me këtë rasti theksoi se ai dhe menaxhmenti i tij janë të përkushtuar që tu ofrojnë sa më shumë mundësi studentëve dhe stafit që të marrin pjesë në shkëmbime, pasi që në këtë mënyrë përvojat e tyre të reja mund t’i përdhejnë në mësimdhënie dhe mësimxnënie më cilësore. Ai falënderoi institucionet partnere dhe Programin Erasmus+, që kanë mundësuar shkëmbimin e studentëve dhe stafit deri më tani.
Po ashtu edhe udhëheqësi i zyrës për marrëdhënie me jashtë z. Përparim Avdullahu dhe udhëheqësi i Zyrës për Projekte, z. Tauland Thaçi, mbajtën nga një fjalë rast, të cilët i informuan të pranishmit për rolin e zyrave të tyre në këtë proces duke i inkurajuar ata që të frekuentojnë zyrat e tyre kohë pas kohe, në mënyrë që të marrin informatat me të hollësishme për mundësitë që do të jepen në të ardhmen.
Ndërkaq, para të pranishmëve prezantuan disa nga studentët që kanë përfituar nga programet e Erasmus+, të cilët bënë të ditur përvojën e tyre duke theksuar se u ka ndihmuar shumë në studimet e tyre por edhe në punët që aktualisht janë.
Edhe profesorët e Universitetit, treguan për përvojën e tyre gjatë pjesëmarrjes në programet e Erasmus+.
Ndërkaq, udhëheqësit e projekteve aktuale, Prof. Ass. Dr. Arsim Susuri, Prof. Asoc. Dr. Shemsi Morina dhe Prof. Asoc. Dr. Sejdi Sejdiu, bënë të ditur në pika të shkurta se çka përfshijnë dhe në çfarë faze janë.