KSHC vizitoi Universitetin "Ukshin Hoti" Prizren
Në kuader të vizitave në institucionet e akredituara të arsimit të lartë në Republikën e Kosovës, Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, ka vizituar të premten Universitetin, me qëllim të bashkëpunimit të ndërsjellë për ngritjen e cilësisë në arsimin e lartë, ku janë pritur nga Prof. Asoc. Dr. Samedin Krrabaj u.d. Rektor dhe bashkëpunëtorët e tijë.
Kryetarja e KShC-së, prof. Hasnije Ilazi, ka thënë se qëllimi i vizitës është që të njihen më për së afërmi me sfidat me të cilat ballafaqohet Universiteti “Ukshin Hoti” dhe marrja e sugjerimeve për zhvillimin e sistemit të arsimit. Kryetarja Ilazi shtoi se orientimi strategjik i KShC-së është zhvillimi i sistemit të arsimit konform standardeve evropiane të cilësisë, të cilat në fokus kanë përgatitjen e kuadrove të nevojshme për tregun e punës.
Rektori i Universitetit Prof. Asoc. Dr. Samedin Krrabaj i ka falenderuar për vizitën dhe kujdesin e treguar. Ai i njoftoi me të arriturat dhe sfidat me të cilat ballafaqohet Universiteti.
Në takim është biseduar edhe për zhvillimin e standardeve të reja.
Palët u pajtuan për vazhdimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e ideve dhe përvojave më të mira.