Ligjërata nga përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane në kuadër të fushatës "16 Ditët të Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore"
Në kuadër të fushatës “16 Ditët të Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, sot u mbajtën ligjërata të rëndësishme, me një pjesëmarrje të madhe nga studentët, stafi akademik dhe mysafirë të nderuar.
Rektori, Prof. Asoc. Dr. Mentor F. Alishani dhe Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Asoc. Dr. Muharrem Faiku, mbajtën fjalët hyrëse.
Në fjalën e tij Rektori Alishani, ka theksuar rëndësinë e përkushtimit të universitetit për të nxitur dialogun dhe ndërgjegjësimin për çështjet e dhunës me bazë gjinore. Ai gjithashtu ka inkurajuar pjesëmarrësit të angazhohen në këtë fushë dhe të kontribuojnë në krijimin e një mjedisi arsimor dhe shoqëror të sigurt për të gjithë. Rektori ka falënderuar përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane në Kosovë, të ftuarit e tyre nga Departamenti i Shtetit dhe Departamenti i Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara për kontributin e tyre në këtë fushatë.
Dekani Faiku, theksoi se ky aktivitet ka një rëndësi të veçantë në shpërndarjen e informacionit dhe ndërgjegjësimin e komunitetit në lidhje me çështjet e dhunës me bazë gjinore dhe rolin që duhet të kenë institucionet, shoqëria civile dhe mediet.
Ndërsa ligjërata më të zgjeruara mbi këtë temë kanë mbajtur përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Kosovë, duke përfshirë Jennifer Lawson nga Departamenti i Shtetit, John C. Hanley dhe Eliza Shporta nga Departamenti i Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara. Pjesëmarrësit kanë pasur mundësinë të dëgjojnë perspektivat e ligjëruesve në lidhje me sfidat globale të dhunës me bazë gjinore dhe rolin e shkencës juridike në luftën kundër kësaj dukurie.
Universiteti “Ukshin Hoti” dhe Fakulteti Juridik shprehin falënderim të veçantë për të ftuarit e tyre nga Ambasada Amerikane në Kosovë për kontributin e tyre në këtë ngjarje të rëndësishme dhe shpresojnë në vazhdimin e bashkëpunimit në fusha të tjera të interesit të përbashkët.