Mbahet takimi iniciues për plotësimin dhe ndryshimin e Statutit të Universitetit
Rektori i Universitetit Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, e ka vlerësuar si moment tepër të rëndësishëm inicimin e këtij procesi, duke marr parasysh nevojën që është parashtruar tani e disa vite karshi kërkesave të reja që kanë lindur për funksionimin më efikas të Universitetit.
Statuti i Universitetit të Prizrenit përmban normat kryesore që rregullojnë veprimtarinë e institucionit, si: organizimi, veprimtaria dhe puna e strukturave përbërëse, e autoriteteve dhe organeve drejtuese, zgjedhja ose përzgjedhja e tyre, nivelet e delegimit të autoritetit nga organet drejtuese e administruese, periudhat e kryerjes së vlerësimit të brendshëm të strukturave dhe të programeve të studimit, detyrat dhe të drejtat e personelit akademik, joakademik dhe të studentëve, si edhe detyra të tjera që rregullojnë veprimtarinë e këtij institucioni.
Puna në plotësimin dhe ndryshimin e Statuti të Universitetit do të vazhdojë, në të cilin proces do të përfshihen të gjitha palët e interesit, të cilët do të japin kontributin e tyre.
Statuti aktual i Universitetit është miratuar më 30 maj 2013 në Kuvendin e Republikës së Kosovës.