Me orë letrare e program artistik, Universiteti shënoi 111 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë
Për nder të festave të Nëntorit, Parlamenti Studentor në bashkëpunim me menaxhmentin e Universitetit sot ka organizuar një orë letrare dhe program artistik.
Rektori i Universitetit Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, theksoi se sot po shënojmë një nga ditët më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit. “Në këtë ditë të lavdishme, ne mbartim një trashëgimi të fuqishme të rezistencës dhe përkushtimit për lirinë tonë. Flamuri ynë kombëtar simbolizon unitetin, lavdinë dhe vullnetin e një kombi për të bërë gjithçka për liri dhe pavarësi. Historia jonë është e mbushur me sakrifica dhe heroizëm, andaj 28 Nëntori na kujton përkushtimin e atyre që luftuan për çlirimin dhe pavarësinë e vendit tonë. Ne duhet të nderojmë dhe të respektojmë kujtimet e tyre, duke vazhduar të punojmë për një të ardhme më të mirë dhe më të bashkuar”, theksoi Rektori Alishani. “Të jemi krenarë për identitetin tonë kombëtar dhe të punojmë së bashku për një të ardhme më të ndritur”, përfundoi ai.
Dekani i Fakultetit të Filologjisë, Prof. Asoc. Dr. Xhafer Beqira, në fjalën e tij theksoi se në këtë ditë të veçantë e shumëpërmasëshe, le të jemi krenarë për historinë tonë të lavdishme dhe t’u jemi mirënjohës të gjithë atyre që kanë bërë dhe atyre që vijojnë të bëjnë çdo ditë për të mirën e përgjithshme. “Le të jemi të përkushtuar për të ruajtur dhe për të zhvilluar atë çka kemi, duke ndjekur rrugën e lirisë, të pavarësisë dhe të demokracisë dhe duke punuar edhe në të ardhmen për të mirën mbarëkombëtare”, theksoi ai. “Kombi ynë është zhvilluar sot, andaj promovon kudo të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve të vet, pa dallime fetare e kombësie dhe nxit e kultivon përparimin, dhe dashurinë e vlerave të përbashkëta. Vetëm të bashkuar jemi të pavarur dhe përpara nesh është një e ardhme e ndritur”, përfundoi ai.
Samire Karavidaj, Kryetare e Parlamentit Studentor, theksoi se sot jemi mbledhur këtu të festojmë ditën që më shekuj me radhë e pritëm, të festojmë për lirinë kombëtare. “Si çdo popull, edhe ne kemi kremten tonë kombëtare. Bile mund të themi se Dita Jonë e Madhe – 28 Nëntori, është diçka më shumë se një kremte kombëtare, siç e kane thënë, jo rastësisht, edhe në tituj «Dita e shenjt Shqiptare»”, theksoi ajo.