U mbajt tryezë me temë: “Njohja, perceptimi dhe kompetenca në gjuhën angleze e stafit akademik të universiteteve publike në Kosovë”
Fjalën e hapjes në këtë takim e mbajti Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Prof. Asoc. dr. Mentor Alishani, i cili i falënderoi të pranishmit dhe theksoi se njohja e gjuhës angleze nga personeli akademik i universiteteve është i domosdoshëm për të përmirësuar komponentët kryesorë të ndërkombëtarizimit, si bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e arsimit, shkencës dhe kulturës. Për ndërkombëtarizim efektiv dhe të suksesshëm në arsimin dhe shkencën, është e rëndësishme që personeli akademik të ketë njohuri të mira të gjuhës angleze, perceptim pozitiv ndaj gjuhës angleze dhe kompetencë të lartë në përdorimin e saj. Kjo do të ndihmojë në krijimin e ambienteve të hapura dhe të përkushtuara për shkëmbimin e ideve dhe përparimin e njohurive në nivel ndërkombëtar.
Znj. Mimika Dobroshi, Koordinatore e Zyrës Erasmus+ në Kosovë theksoi se njohja, perceptimi dhe kompetenca e stafit akademik në gjuhën angleze kanë një rëndësi të veçantë për ndërkombëtarizimin në kontekstin e universiteteve. Nëpërmjet njohjes së gjuhës angleze, personeli akademik mund të marrë pjesë në projekte bashkëpunimi, të publikojë punime shkencore në revista ndërkombëtare dhe të përfitojë nga shkëmbimi i ideve dhe njohurisë në nivel global. Perceptimi pozitiv i gjuhës angleze nga stafi akademik do të inkurajojë përdorimin aktiv të gjuhës dhe të ndihmojë në ndërtimin e një mjedisi ku gjuha angleze përdoret me lehtësi dhe besim. Për të përmirësuar njohjen, perceptimin dhe kompetencën në gjuhën angleze të stafit akademik të universiteteve, mund të implementohen strategji dhe politika të ndryshme. Këto mund të përfshijnë trajnime të vazhdueshme të gjuhës angleze, kurset e specializuara në komunikimin akademik në gjuhën angleze, përkrahje për publikimin e punimeve shkencore në gjuhën angleze dhe përdorimin e teknologjisë informative për të rritur përdorimin e gjuhës angleze.
Prof. Asoc. Dr. Sejdi Sejdiu, Ekspert për Reforma në Arsimin e Lartë dhe profesor në Universitetin “Ukshin Hoti” në programin e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze, së bashku me studenten Afërdita Ninaj prezantuan hulumtimin e bërë në temën “Njohja, perceptimi dhe kompetenca në gjuhës angleze e personelit akademik të universiteteve publike në Kosovë”. Sipas të gjeturave të hulumtimit, më shumë se 70% e personelit akademik të universiteteve publike në Kosovë i kanë vetëvlerësuar njohuritë e tyre në gjuhën angleze në nivelin mesatar dhe mbi mesatar, ndërsa janë deklaruar të vetëdijshëm për rëndësinë e gjuhës angleze për ndërkombëtarizim, mobilitete, shkëmbime akademike, cilësi të mësimdhënies, dhe publikim të punimeve të tyre shkencore. Hulumtuesit propozuan që zotërimi i gjuhës angleze të jetë kriter për personelin akademik, institucionet e arsimit të lartë të ofrojnë programe studimi në gjuhën angleze, të zhvillojnë programe të përbashkëta me institucione vendore, rajonale dhe evropiane, të zhvillojnë programe sipas standardeve evropiane, dhe të përfitojnë nga programet e Erasmus+, Horizon Europe, Heras+, etj.