Një delegacion i Universitetit “Ukshin Hoti” e vizitoi UEJL-in
Një delegacion i Universitetit të Prizrenit “ Ukshin Hoti”, i udhëhequr nga rektori, Prof. Asoc. Dr. Samedin Krrabaj, sot ( 17.12. 2021), e vizituan Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Delegacionin në fjalë e priti rektori i UEJL-së, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti i shoqëruar nga anëtarë të tjerë të menaxhmentit të Universitetit.
Rektorët e të dy universiteteve e vlerësuan lart bashkëpunimin e dyanshëm në të gjitha fushat dhe e theksuan nevojën për thellimit dhe zgjerimit të komunikimit të ndërsjellë me qëllim mbarëvajtjen e aktiviteteve të përbashkëta. Të dy rektorët e theksuan bashkëpunimin konkret në shkëmbimin e stafit dhe studentëve, programe të përbashkëta dhe aktivitete studentore të përbashkëta, projekte shkencore dhe aplikative të përbashkëta, projekte për bashkëpunim ndërkufitar, posaçërisht pas shpalljes së Malit Sharr, park kombëtar, organizimin e konferencave shkencore të përbashkëta, ofrimi i mbështetjes nga UEJL për digjitalizimin e aktiviteteve akademike dhe në veçanti të Arkivit historik të Lidhjes së Prizrenit, si dhe shumë projekte të tjera me interes të përbashkët kulturor dhe kombëtar.
Rektori Bexheti, e njoftoi delegacionin e Universitetit të Prizrenit lidhur me të rejat më të fundit në UEJL, me aktivitetet arsimore dhe hulumtuese që po ndërmerr Universiteti, si dhe me pozitën aktuale që ka UEJL në vend, rajon dhe ndër universitet shqiptare.
Më pas delegacioni vizitoi Kampusin e integruar të UEJL-së, ku u njoftua me kapacitet, laboratorët profesionale që janë hapur dhe infrastrukturën universitare në përgjithësi.