Partneritetet me sektorin privat forcojnë arsimin e lartë në Kosovë
Aktiviteti më i fundit i financuar nga USAID, i emërtuar Partneritetet e Sektorit Privat për Forcimin e Arsimit të Lartë (PSPFAL) në Kosovë, nisi të hënën, më 24 Prill, 2023, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Aktiviteti do të implementohet nga Konsorciumi Ioëa, i cili udhëhiqet nga Universiteti i Iowa (UI), në bashkëpunim me partnerët e saj Universiteti i Shtetit të Iowa (USI), dhe Qendra e Kosovës për Arsim (KEC).
Pas ngjarjes inauguruese, ekipi i aktivitetit mbajti një seri të takimeve nëpër Kosovë për të filluar punën me partnerët. Një aspekt kyç i lansimit të aktivitetit ishte komunikimi me udhëheqës të universiteteve, stafit kërkimor, dhe stafit për shërbime të karrierës, për të planifikuar dhe diskutuar detaje të iniciativave të bashkëpunimit.
Java startuese u udhëhoq nga Eli Gashi, udhëheqëse e aktivitetit, dhe Vassie Barnhardt, profesoreshë e asociuar e UI për arsim të lartë dhe marrëdhënie për studentë, dhe drejtoreshë e aktivitetit. Atyre iu bashkuan këshilltarë Teknik nga UI dhe USI, përfshirë Russell Ganim, prorektor i asociuar dhe dekan i Programeve Ndërkombëtare të UI; Daniel Clay, dekan i Kolegjit për Arsim në UI, dhe Curtis Youngs, Profesor i Rregullt dhe Specialist në fushën e Bujqësisë në USI.
Objektiva e përgjithshme e projektit është krijimi i lidhjeve më të mira të universiteteve me sektorin privat, me fokus më specifik në sektorët e bujqësisë dhe Teknologisë së Informacionit dhe Komunikimit. Pas përfundimit të aktiviteteve të lansimit, ekipi u takua me partnerët e kampusit nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, Universiteti i Pejës “Haxhi Zeka”, dhe Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti.”
Rektorët dhe stafi i administratës përshëndetën ngrohtësisht ekipin e Konsorciumit të Iowa. Së bashku, ata diskutuan planet për ndërmarrjen e veprimeve, në serinë e marrëveshjeve të vijëzuara në Memorandumet e Mirëkuptimit (MM), të nënshkruara më 24 Prill në ngjarjen inauguruese.
Gjatë vizitave tek universitetet partnere në Kosovë, Konsorcoumi i Iowa bëri një vizitë nëpër hapësirat dhe objektet e kampuseve, ku studentët dhe profesorët do të angazhohen më drejtpërdrejt me iniciativat e aktivitetit. Përmes këtij aktiviteti, secili kampus do të themeloj njësitë e tyre administrative për shërbime karriere, për të mbështetur më mirë studentët dhe kompanitë. Përveç kësaj, universitetet do të mund të lidhin më mirë aktivitetet e mësimdhënies dhe kërkimit me industrinë.
“Ekziston talent i jashtëzakonshë brenda tri universiteteve tona partnere dhe institucioneve kërkimore në Kosovë. Ne i kemi identifikuar kampuset e tri universiteteve publike partnere në Prishtinë, Pejë dhe Prizren, për shkak të gatishmërisë së udhëheqësve të universiteteve të tyre, dhe dëshirës së madhe të profesorëve dhe stafit administrativ për të ndjekur ndryshimet, të cilat fundamentalisht do të përbëjnë kthesë në qasjen e tyre ndaj industrisë dhe suksesit profesional të studentëve. Universiteti i Iowa është krenar të jetë partneri implementues i USAID në aktivitetin PSPFAL, sepse ai ofron një mundësi për të ndihmuar universitetet të çlirojnë potencialin e tyre për t’i ndihmuar rinisë të realizoj prosperitetin e tyre dhe kompanive ku ata/ato punojnë. – Cassie L. Barnhardt, Drejtoreshë e Projektit dhe Profesoreshë e Asociuar në Kolegjin e Arsimit të UI.
Që të tri universitetet kanë treguar përkushtim të madh që të punojnë krahas ekipit të ekspertëve të aktivitetit, dhe kanë shprehur entuziazmin që të ndajnë arritjet e tyre të fundit, dhe në të njëjtën kohë, kanë shprehur një përkushtim të sinqertë, që të shtyejnë përpara transformimin e tyre, në mënyra që i ofrojnë studentëve përgatitje më të mirë për karrierat e tyre.
Dr. Mentor Alishani, rektor i Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, thotë që universiteti është i përkushtuar ndaj këtij projekti.
“Nënshkrimi i MM me UI dhe USI ishte një prej gjërave më të mira që mund të na ndodhte në këtë kohë. Objektiva jonë kryesore është t’u ofrojmë studentëve tanë programet më të mira në bujqësi dhe TIK, të cilat i përgjigjen nevojave më të fundit në treg dhe sfidave të fermerëve, ndërmarrjeve bujqësore, dhe kompanive TIK në rajon. Modelet e UI dhe USI dhe përvoja në përgatitjen e studentëve për treg janë aspirata tona, dhe ne jemi mirënjohës dhe të ngazëllyer të mësojmë nga ekspertiza e tyre dhe të krijojmë sisteme dhe kurrikula të cilat adresojnë këtë objektivë.”
Dr. Mentor Alishani , Rektor i Universitetit të Prizrenit, Ukshin Hoti.
Përveç vizitave në kampuse, ekipi vizitoi Institutin e Bujqësisë në Pejë; ky është institucioni parësor i Kosovës për kërkime shkencore në bujqësi, e cila menaxhohet nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Instituti i Bujqësisë është një resurs i rëndësishëm për profesorët, studentët, fermerët, dhe sektorin privat të bujqësisë, për rolin e tij në sigurimin e cilësisë dhe kushteve të favorshme për kultivim të drithërave dhe bagëtisë në Kosovë.
“Jemi të lumtur që po zgjerojmë mbështetjen tonë në këtë aktivitet, meqë institucioni jonë është destinacioni kryesor për studentët, bizneset dhe institucionet vendore, për të marrë mbështetje teknike dhe njohuri mbi bujqësinë. Me 76 vite përvojë, ne jemi të përkushtuar për vazhdimin e trashëgimisë sonë në shërbim të zhvillimit të bujqësisë në Kosovë. Me padurim presim të bashkëpunojmë me UI dhe USI për të krijuar lidhje të qëndrueshme mes universiteteve dhe bizneseve, nga të cilat do të përfitojnë gjenerata për vite e vite. Ekspertiza jonë, resurset, dhe njohuritë do të jenë plotësisht të përkushtuara në sigurimin e suksesit të këtij aktiviteti” – Fehmi Geci, Drejtor i Institutit të Bujqësisë të Kosovës.
Si pjesë e javës startuese, ekipi i aktivitetit organizoi një punëtori me përfaqësues nga universitetet partnere dhe organizatat e sektorit privat. Punëtoria u udhëhoq nga Dr. Daniel L. Clay, ku ai nxiti pjesëmarrësit të diskutojnë mbi bashkëpunimin strategjik mes industrisë dhe universiteteve. Punëtoria vuri në pah se si, në veçanti, Bordet për Industri të universiteteve mund të vënë transformimin në veprim brenda universiteteve dhe përgjatë sektorëve.
“Këto ditët e fundit në Kosovë, kanë qenë jashtëzakonisht informative dhe frymëzuese për ekipin tonë të aktivitetit. Ndjehemi shumë me fat që kemi partnerë kaq të përkushtuar, si nga universitetet publike, ashtu edhe nga sektori privat, të cilët tashmë kanë bërë punë të jashtëzakonshme në avancimin e zhvillimit të sektorëve të bujqësisë dhe TIK të vendit. Nga ajo çfarë kam parë, Kosova ka bërë hapa të mëdhenjë drejt hyrjes në tregun ndërkombëtar, dhe ka shumë studentë të cilët janë të etur të marrin njohuri dhe mundësi pune.
Jam i emocionuar që ky aktivitet po ndodh në një moment të favorshëm, për të shërbyer si urë mbi hendekun mes studentëve dhe bizneseve. Unë besoj fuqishëm që ky partneritet do të shtroj rrugën që Kosova të bëhet një shtet model për rritje dhe ekselencë në sektorët e TIK dhe bujqësisë.” Dr. Daniel L. Clay – Dekan dhe Profesor në Kolegjin e Arsimit, UI
Java inauguruese e aktivitetit ishte e mbushur me ngjarje të orientuara drejt thellimit të marrëdhënieve mes partnerëve. Vizitat, takimet, punëtoritë filluan procesin e krijimit të mënyrave të reja të operimit dhe ndërlidhjeve, me fokus në forcimin e partneriteteve mes universiteteve dhe sektorit privat. Shkumbin Talifaj, pjesë e stafit të Qendrës për Shërbime Karriere në Universitetin e Prishtinës, shprehu entuziazmin e tij për projektin, duke thënë, “Gjatë javës së lansimit të projektit, ne patëm mundësinë që, së bashku, të diskutojmë mundësitë e partneritetit me bizneset e sektorit privat. Ne i jemi mirënjohës Aktivitetit PSPFAL, për ofrimin e mundësisë së krijimit dhe forcimit të marrëdhënieve me disa prej bizneseve lidere në vendin tonë. Mësuam shumë rreth projekteve të reja interesante, të cilat janë duke i zhvilluar bizneset në sektorët e TIK dhe bujqësi. Në veçanti, më bëri përshtypje puna e fundit e Ipko Telekom në zhvillimin e produkteve softuerike, të cilat u ofrojnë fermerëve vendor Sisteme të Menaxhimit Informativ Bujqësor. Jam i lumtur që diskutuam mundësinë e angazhimit të studentëve tanë të bujqësisë dhe TIK në mësimnxënie me përvojë, në mënyrë që të mund të kontribuojnë në këtë iniciativë të jashtëzakonshme të teknologjisë së lartë.”- Shkumbin Tafilaj, Këshilltar i Lartë në Qendrën për Shërbime Karriere, Universiteti i Prishtinës.