Promovohet libri „Zanorja ë në gjuhën shqipe (ë-ja e patheksuar)“ e dr. Elona Gjatës, studiuese nga Tirana
Në Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren, të mërkurën është bërë promovimi i librit „Zanorja ë në gjuhën shqipe (ë-ja e patheksuar)“ të dr. Elona Gjatës, studiuse nga Tirana.
Me këtë rast nga një fjalë përshëndetëse e mbajtën Rektori – Prof. asoc. dr. Samedin Krrabaj dhe Dekani i Fakultetit të Filologjisë Prof. asoc. dr. Xhafer Beqiraj.
Rektori Krrabaj dhe Dekani Beqiraj e përgëzuan autoren për punën e bërë, dhe theksuan se për Universitetin është nder që po bëhet promovimi i një libri kaq të rëndësishme e një autore nga Tirana.
“Ky studim sjell një hulumtim shkencor të thelluar në fushën e fonetikës së shqipes, respektivisht lidhur me ë-në e patheksuar në gjuhën shqipe, duke filluar nga shkrimet e para të shqipes e këndej”, theksoi Dekani Beqiraj.
Ndërkaq me kumtesa u paraqitën: Prof. asoc. dr. Flamur Shala, Prof. dr. Rami Memushaj, Prof. asoc. dr. Shkelqim Millaku. Ndërsa Fjalën përmbyllëse e kishte Prof. asoc. dr. Sermin Turtulla, prodekanë e Fakultetit të Filologjisë.
Autorja e librit dr. Elona Gjata shprehu mirënjohjen e saj për të gjithë ata që kanë dhanë ndihmën e tyre në hartimin e këtij libri, i cili ka qenë edhe disertacioni i sajë. Ajo falënderoi udhëheqësin e temës doktorale, prof. dr. Rami Memushajn. “E falënderoj për ndihmën e dhënë në lidhje me literaturën që nevojitej për punimin e kësaj teme dhe për durimin që ka treguar në këto vite, duke u treguar gjithnjë i gatshëm dhe i palodhur. E falënderoj për mendimet e këshillat shkencore. Kam mësuar shumë prej tij.”, u shpreh studiuesja Gjata.
Siç theksohet, ky libër ka si objekt studimi zanoren [ë] të patheksuar në gjuhën shqipe, duke u ndalur në traditën shkrimore të gjuhës sonë. Për të nxjerrë në pah gjendjen e hershme të përdorimit të ë-së së patheksuar, autorja Gjata ka marrë në analizë fragmente nga autorët të vjetër dhe nga autorë të shekujve të mëvonshëm. Autorja thekson se duke hulumtuar nëpër këto rrafshe kohore kemi parë si është përdorur kjo zanore nga autorët e marrë në shqyrtim në pozicione të ndryshme në fjalë, si dhe marrëdhënien që kjo zanore krijon me theksin e fjalës.