Prorektori Podvorica dhe profesori Morina po marrin pjesë në punimet konferencave shkencore në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë
Prof. Asoc. Dr. Armend Podvorica, Prorektor për mësimdhënie, çështje të studentëve dhe kërkime shkencore, dhe Prof. Asoc. Dr. Rifat Morina, profesor në Fakultetin e Edukimit, po marrin pjesë në punimet e konferencave në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë 10-11 Nëntor 2023: 18th Annual International Conference of Institutional Partners “Social Capital & Public Sphere in Contemporary Society”, 3nd Annual Conference of Center for School Leadership (CSL – AADF), “Leadership and Management in Education” & 5th Biennial Conference of Balkan Sociological Forum (BSF) “Peace – the Balkan Context”.
Prorektori Podvorica në fjalën e tij në ceremoninë e hapjes së punimeve të konferencave, theksoi se ndihet i nderuar që në cilësi të Zëvendës-Rektorit të Universitetit “Ukshin Hoti” të Prizrenit, po merr pjesë në punimet e këtyre Konferencave shumë të rëndësishme. “Dua të shpreh përshëndetjet më të ngrohta për ju të gjithë nga Rektori i nderuar i Universitetit të Prizrenit, Profesorit Mentor Alishani, i cili shpreh keqardhjet që nuk ishte në gjendje të jetë pranë nesh sot, për shkak se në të njëjtën kohë në Prizren, zhvillon punimet Konferenca Shkencore Ndërkombëtare Bridge2023, por dërgon mbështetjen dhe urimet më të mira për suksesin e këtyre konferencave në Vlorë”, theksoi Prorektori Podvorica, duke shtuar se artikujt dhe diskutimet që do të shpalosen gjatë këtyre konferencave pa dyshim do të kontribuojnë në avancimin e njohurive dhe në përmirësimin e komuniteteve tona.
Ndërkaq, organizatorët e konferencës falënderuan Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren për kontributin e dhënë në organizimin e kësaj konference dhe në edicionet e kaluara.