Qendra për Përsosmëri në Mësimdhënie organizoi trajnimin e parë për stafin akademik të Universitetit
Qendra për Përsosmëri në Mësimdhënie e Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren, të mërkurën më 14.12.2022 ka organizuar trajnimin e parë për stafin akademik të Universitetit. Trajneret Prof. Ass. Dr. Pranvera Jetishi-Qollaku dhe Prof. Ass. Dr. Serdan Kervan mbajtën modulin e trajnimit “Teoritë e të nxënit”, ndërsa Prof. Ass. Dr. Vjollca Dibra mbajti mobulin e trajnimit “Të mësuarit aktiv”.
Qëllimi i modulit Moduli “Teoritë e të nxënit” fokusohet në trajtimin e koncepteve kryesore të këtyre teorive dhe zbatimin e tyre në mësimdhënie bashkëkohore me nxënës dhe studentë. Duke nxitur gjithë përfshirjen e tyre në klasë, motivimin, fleksibilitetin, mësimin e diferencuar, mësimin përmes projekteve/hulumtimit, mendimin krijues, zgjidhjen e problemeve dhe të menduarit kritik. Pra, qëllimi i modulit të Teorive të të nxënit është të pajisë profesionistët me njohuritë, aftësitë dhe kompetencat që lidhen me teorinë dhe praktikën, për një mësimdhënie me studentin në qendër të procesit mësimor, që është sfida e pedagogjisë bashkëkohore.
Rezultatet e të nxënit
- Demonstron një kuptim sistematik të aspekteve kyçe të teorive të të nxënit;
- Reflekton në mënyrë kritike mbi teoritë e të nxënit dhe zbatimin e tyre në praktikë;
- Zbaton teoritë e të nxënit në mësimdhënie duke nxitur motivimin, fleksibilitetin, zgjidhjen e problemeve dhe të menduarit kritik.
Metodologjia e mësimdhënies
Moduli do të zhvillohet duke përdorur metodologji dhe teknika bashkëkohore të mësimdhënies, përmes mësimit interaktiv, diskutimeve, demonstrimeve, prezantimeve si dhe duke përdorur forma të ndryshme të punës, si individuale, dyshe, punës në grupe, etj.
Qëllimi i modulit Moduli ”Të mësuarit aktiv”, ka për qëllim të zhvillojë te mësimdhënësit teknika e aktivitete të cilat ndihmojnë në promovimin e strategjisë studenti në qendër, përmes përdorimit të njohurive dhe shkathtësive të mëparshme të tyre, inkurajimin në debate, lexim e të shkruar akademik e krijues si dhe në përfshirje të një procesi reflektues për të mësuarit e tyre me qëllim të zhvillimit të mendimit kritik e krijues.
Rezultatet e të nxënit
- Shpjegon të mësuarit aktiv si një përfshirje aktive në procesin e të mësuarit;
- Shton shkathtësi të zbatimit të teknikave ndërvepruese të mësimdhënies;
- Zhvillon shkathtësi profesionale për zbatim të ndërveprimit në klasë, të cilat kontribuojnë në zhvillimin e të menduarit kritik dhe krijues;
- Ndërlidh të kuptuarit dhe zotërimin e informacionit përmes demonstrimit.
Metodologjia e mësimdhënies
Moduli do të zhvillohet duke përdorur metodologji dhe teknika ndërvepruese të mësimdhënies, përmes diskutimeve, demonstrimeve, prezantimeve si dhe duke përdorur forma të ndryshme të punës, si individuale, dyshe, punës në grupe, etj.