Rektori Alishani mori pjesë në promovimin e Fjalorit drejtshkrimor të gjuhës shqipe të hartuar nga QEP dhe përkrahur nga MASHTI
Nikoqiri i këtij promovimi, Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren, Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, në ceremoninë e organizuar me këtë rast, theksoi se promovimi i këtij fjalori është një kontribut i madh në zhvillimin e gjuhës shqipe, po ashtu do t’i ndihmojë njerëzit të mësojnë gjuhën shqipe ose të përmirësojnë atë.
Ndërkaq, ai i falënderoi hartuesit e fjalorit që kanë përzgjedhur Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren, për të promovuar punën e tyre shumë të çmuar. Ai shtoi se Universiteti është i hapur për gjithë ata që duan të kremtojnë rezultate e tyre shkencore.
Të pranishëm në këtë promovim ishin edhe anëtarët e Këshillit Kombëtar Shkencor për gjuhën shqipe: Shqipëri: Prof. dr. Emil Lafe, Prof. dr. Enver Hysa, Prof. asoc. Adelina Çerpja, Prof. asoc. Anila Çepani. Maqedoni e Veriut: Prof. dr. Mustafa Ibrahimi, Prof. dr. Asllan Hamiti, Prof. dr. Ismet Osmani. Kosovë: Prof. dr. Hysen Matoshi, Prof. dr. Bahri Koskoviku.
Ndërkaq nga Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren morën pjesë edhe dekani i Fakultetit të Filologjisë Prof. Asoc. Dr. Xhafer Beqiraj dhe Prof. Asoc. Dr. Shkëlqim Millaku.
Për herë të parë gjatë tërë historisë është pasqyruar sasia më e madhe e fjalëve të gjuhës shqipe, mbi 100.000 sosh, me të gjitha format e tyre gramatikore, si dhe informacione të tjera për çdo fjalë. Me një fjalës të përzgjedhur me kujdes, me mbi 8.000.000 forma fjalësh, tashmë të digjitalizuara në mënyrë të përsosur dhe lehtësisht të qasshme për çdo shqiptar përmes internetit.
Promovimi i këtij fjalori u bë me 10 Qershor 2023, në përvjetorin e 145 të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.