Rektori Alishani priti në takim znj. Emilija Redžepi Zëvendëskryeministre për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut
Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani Rektor në Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren, të mërkurën ka pritur në takim znj. Emilija Redžepi zëvendëskryeministre për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut në Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Temë bosht e takimit ishte zhvillimi i përgjithshëm i universitetit, me theks të veçantë i programet studimore në gjuhët e komuniteteve.
Znj. Redžepi fillimisht e uroi Rektorin Alishani për detyrën e re, duke i dëshiruar suksese. Ajo theksoi se institucionet e arsimit të lartë e kanë mbështetjen e Qeverisë, në këtë kuadër edhe Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren, i cili ofron studime krahas gjuhës shqipe, edhe në gjuhën boshnjake dhe turke.
Ndërkaq, Rektori Alishani e falënderoi për vizitën, për urimet dhe për gatishmërinë e treguar për mbështetje, zv.Kryeministren Redžepi. Ai theksoi se në vizionin e tij për këtë universitet e ka avancimin e programeve ekzistuese dhe hapjen e programeve të reja bazuar në kërkesat dhe nevojat e tregut. Në këtë kontekst Rektori Alishani potencoi se deversiteti që e karakterizon Universitetin e Prizrenit është vlerë e shtuar, dhe se do ta kenë vëmendjen e tij, avancimi dhe mundësia e zgjerimit të programeve studimore edhe në gjuhën boshnjake dhe turke. “Kur flasim për programet e reja, duhet të kemi në konsideratë standardet e reja të përcaktuara nga Agjencia e Akreditimit e Kosovës, sidomos sa i bartësve të programeve studimore. Për programeve në gjuhët e komuniteteve, urojmë që lehtësirat apo përjashtimet që kanë qenë deri më tani të vazhdojnë edhe për një periudhë të caktuar, derisa të rriten kapacitetet me staf akademik”, theksoi Rektori Alishani.
Në takim ishin edhe Dekani i Fakultetit të Edukimit Prof. Asoc. Dr. Vedat Bajrami, Sekretari i Përgjithshëm z. Nexhmedin Krasniqi dhe mësimdhënësit e programeve studimore në gjuhën boshnjake.