Rektori Krrabaj priti në takim përfaqësuesit nga projekti KREN në ITP Prizren
Rektori Prof.Asoc.Dr.Samedin Krrabaj së bashku me zv.Dekanen e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike Prof.Ass.Dr.Zirije Hasani dhe Prorektoren për mësimdhënie, çështje të studentëve dhe kërkimeve shkencore, Prof.Asoc.Dr. Albana Plakiqi Milaimi pritën në takim përfaqësuesit e projektit KREN.
Rektori Krrabaj fillimisht e falënderoi z.Atif Basani për gatishmërinë e tyre dhe kontributin që ata dhanë në organizimin e shkollës verore në Universitetin “Ukshin Hoti” ku KREN ofroi mbulimin me rrjet wireless të KREN kampusin e Universitetit e cila ishte ndihmë shumë e madhe për realizimin e aktiviteteve të shollës verore.
Gjithashtu qëllimi kryesor i takimit ishte koordinimi dhe zhvillimi i aktiviteteve të mëtutjeshme.
Strategjia për trajnimin e trajnerëve për platformën LMS, me fokusin në MOODLE, ishte ndër pikat kyqe të diskutimit.
Zhvillimi i strategjisë në fjalë po realizohet me përkrahjen financiare të GIZ-it dhe është në zhvillim e sipër. Një nga aktivitetet që do të realizohet javën e fundit në Shtator 2022 është punëtoria , ku do të diskutohet për nevojat e veçanta që kanë universitetet në Kosovë, për të përmirësuar menaxhimin e përmbajtjes dixhitale të mësimit.
Në fund të dy palët u dakorduan që të vazhdojnë bashkëpunimin në të ardhmen dhe të shfrytëzohen mundësit e ofruara nga ky projekt për të avancuar format e mësimdhënies duke përdorur teknologjitë dhe platformat e ndryshme që ofrohen nga KREN.