Rektori Krrabaj priti në takim shkrimtarin dhe intelektuali e shquar, Profesor Agim Vinca
Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, të enjten e ka vizituar Prof. Dr. Agim Vinca, njëri nga poetët më të njohur bashkëkohorë shqiptarë dhe njëri ndër studiuesit më të dalluar të letërsisë shqipe.
Ai është pritur në takim fillimisht nga Rektori i Universitetit Prof. Asoc. Dr. Samedin Krrabaj, i cili i ndau edhe mirënjohje për kontributin e tij dhënë për letërsinë shqipe dhe në edukimin e brezave. Vinca ka qenë profesor në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, ku ligjëronte Letërsinë e sotme shqipe. Tani është pensionuar dhe merret me letërsi. Agim Vinca merret edhe me përkthime letrare dhe shkrimin e veprave studimore për gjuhën dhe letërsinë shqipe. Përkthimet e tij janë kryesisht nga gjuha franceze në gjuhën shqipe.
Pas takimit me Rektorin, Vinca kishte një bashkëbisedim me studentët dhe profesorët e Fakultetit të Filologjisë dhe të Edukimit të Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren. Me këtë rast nga një fjalë rasti mbajtën edhe Prof. Asoc. Dr. Xhafer Beqiraj Dekan në Fakultetin e Filologjisë, Prof. Dr. Jashar Kabashi dhe Prof. Ass. Dr. Gjylë Totaj.
Shkas i takimit ishte botimi i librit të fundit të prof. Vinces: “Saga e shkronjave shqipe (Kongresi i Manastirit: të thëna dhe të pathëna)”.
Fjala është për një studim kritik mbi këtë ngjarje të madhe të historisë dhe kulturës shqiptare, që zhvilloi punimet në qytetin e Manastirit, atëbotë qendër e Vilajetit, prej 14-22 nëntor 1908.
Autori konsideron se Kongresi i Manastirit zgjidhi një nga çështjet fundamentale të kulturës shqiptare: atë të alfabetit të njësuar të gjuhës shqipe, që i hapi rrugë edhe njësimit të drejtshkrimit të saj rreth shtatëdhjetë vjet më vonë.