Riakreditohen programet studimore në Universitetin “Ukshin Hoti” - hapet rruga për shpalljen e konkursit për pranimin e studentëve të rinj
Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) i Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), në mbledhjen e fundit, ka shqyrtuar dhe aprovuar raportet e ekspertëve ndërkombëtarë, duke krijuar mundësinë për shpalljen e konkurseve për pranimin e studentëve në të gjitha programet e riakredituara në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren.
Sivjet programet e riakredituara që kanë qenë në proces, janë: Në Fakultetin e Ekonomisë për 3 vitet e ardhshme janë riakredituar programi Administrim Biznesi dhe programi Menaxhment Ndërkombëtar. Në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike është riakredituar për 5 vjet edhe programi Teknologji Informacioni dhe Telekomunikimi, ndërkaq Fakulteti Juridik është riakredituar për 5 vitet e ardhshme.
Vlen të theksohet se vitin e kaluar janë riakredituar edhe programet tjera që ishin në proces. Në Fakultetin e Edukimit: programi Parashkollor dhe programi Fillor. Në Fakultetin e Shkencave të Jetës dhe Mjedisit programi Shkencat e Pyjeve dhe të Mjedisit dhe programi i Agrobiznesit si dhe programi i nivelit Master, Menaxhim në Agrobiznes. Në Fakultetin e Filologjisë janë riakredituar Programet: Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, Gjuhe dhe Letërsi Angleze dhe Gjuhë dhe Letërsi Gjermane. Ndërkaq, vitin e kaluar është riakredituar edhe Programi i nivelit Master në Shkenca Kompjuterike dhe Teknologji Komunikimi në FSHK dhe programi Master në Administrim Biznesi në Fakultetin e Ekonomisë.
Ndërkaq, programet në gjuhën turke dhe boshnjake në përputhje me udhëzimin administrativ përkatës do të vazhdojnë të kenë akreditim: Teknologji Informacioni dhe Telekomunikimi – Boshnjakisht, Teknologji Informacioni dhe Telekomunikimi – Turqisht, Programi Parashkollor – Boshnjakisht, Programi Fillor – Boshnjakisht, Programi Parashkollor – Turqisht, Programi Fillor – Turqisht.
Si vjet Universiteti “Ukshin Hoti” i pret studentët e rinj me kushte me të mira në të gjitha aspektet. Për hapjen e konkursit do të njoftoheni me kohë.