Shënohet 79-vjetori i lindjes së atdhetarit e ideologut, profesor Ukshin Hotit
Nikoqiri i këtij takimi, Rektori i Universitetit Prof. Asoc. Dr. Samedin Krrabaj, në fjalën e tij theksoi se është privilegj që është Rektor i një Universiteti që e ka emrin e Ukshin Hotit. “Por është edhe detyrim që pikërisht nga ky institucion të ndërgjegjësojmë studentët tanë për rëndësinë e kësaj figure të shquar kombëtare, i cili edhe me mos prezencën e tij fizike vazhdon të na frymëzojë me vizionin e tij politik dhe intelektual”, theksoi Rektori Krrabaj.
Për jetën dhe veprën e Ukshin Hotit foli Prof. Dr. Sebajdin Cena, i cili ka qenë edhe bashkëpunëtor i ngushtë i Ukshin Hotit.
Profesori Cena tha se Ukshin Hoti ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në shërbim të aspiratave të shqiptarëve të Kosovës. Ai shtoi se Profesor Ukshin Hoti ishte halë në sy për sllavo- komunistët dhe Serbinë, të cilët deri në zhdukjen e tij e ndoqën, torturuan nëpër kazamate të ndryshme, për pikëpamjet dhe angazhimin e tij politik për të drejtat tona.
Ndërkaq, z. Bedri Zyberaj Drejtori i Arkivave Shtetërore të Kosovës, theksoi se ideologu Ukshin Hoti, ishte pasues i mendimeve politike dhe në shërbim të çështjeve atdhetare, sikurse rilindësit.
Kryetari i Parlamentit Studentor, Fatlind Tredhaku, në fjalimin e tij tha se Ukshin Hoti ishte njëri ndër intelektualët më të spikatur shqiptar dhe me këtë rast bëri thirrje që të ndriçohet fati i tij. “Në udhëkryqet e historisë është shumë me rendësi orientimi në rrugën e duhur, ai këtë e beri duke iu kundërvu rrymës së politikave të asaj kohe të sistemit komunist jugosllav. Në kontekstin shoqëror dhe politik ai mbrojti idenë e avancimit të statusit të Kosovës nga krahine autonome në kuadër të Serbisë dhe tërë Jugosllavisë ne republikë të barabartë me republikat e tjera te federatës jugosllave” theksoi Kryetari Fatlind Tredhaku.
Etrit Hoti, foli në emër të familjes së Ukshin Hoti duke bërë thirrje për angazhim dhe përkushtim për të ndjekur rrugën e xhaxhait të tij në shërbim të çështjes kombëtare.
Në kuadër të aktiviteteve që shënuan 79 -vjetorin e lindjes së Ukshin Hotit, në Universitet është hapur edhe ekspozita me fotografi nga Arkivat Shtetërore të Kosovës, me titull “ Bëje ose vdis”, kushtuar ideologut Ukshin Hoti.
Vlen të theksohet se moderimin në mënyrë profesionale dhe leximin e maksimave e bëri studentja e dalluar Kristina Berisha ndërsa leximin e refleksionit studentja e dalluar Fllanza Hoxha.
Ndërsa për ceremoni u kujdesën këshilli organizativ nën udhëheqjen e Prof. Asoc. Dr. Albana Plakiqi-Milaimi.