U prezantua “Vlerësimi bazë” nga projekti “HerasPlus” për Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren
Në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, të enjtën u bë prezantimi i dokumentit “Baseline Assessment (Vlerësimi bazë) për Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren, i cili u përgatit me mbështetjen e ekspertëve nga projekti HERAS Plus. Raporti është një përmbledhje koncize dhe gjithëpërfshirëse e zhvillimit aktual institucional të Universitetit. Ky dokument ka identifikuar një numër të fushave për përmirësim, të cilat shprehen në formën e rekomandimeve me mekanizma dhe tregues të qartë dhe e gjithë kjo pritet të mbështetet me fonde të caktuara të projektit HERAS Plus. Ngjarja u ndoq nga menaxhmenti i lartë i Universitetit, akademikë, studentë – ndërsa u drejtua zyrtarisht nga Rektori Prof. Asoc. Dr. Ismet Temaj, kreu i Agjencisë Austriake të Zhvillimit në Prishtinë, Znj. Sandra Horina dhe udhëheqësi i ekipit, Z. Aqim Emurli.
Ngjarja përfundoi me nënshkrimin ceremonial të Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Projektit dhe Universitetit, të angazhuar për të punuar së bashku në fushat e zhvillimit strategjik të universitetit.
Rektori Temaj në emër të studentëve, menaxhmentit dhe të gjithë punonjësve të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, shprehi mirënjohje të larta për Projektin HerasPlus, për mbështetjen e vazhdueshme të universitetit në mënyra të ndryshme, duke shtuar se studimi “Baseline Assessment” i hartuar nga ekipi i këtij projekti parqet një dokument me vlerë të madhe për Universitetin. Ky dokument do të shërbejë udhërrëfyes për punën e mëtutjeshme të menaxhmentit dhe të gjithë punonjësve të Universitetit.
Rektori Temaj me këtë rast theksoi se, ashtu siç është potencuar në këtë studim por edhe në vlerësimet paraprake të grupit të ekspertëve ndërkombëtarë, Universiteti ka shënuar rezultate të matshme në shumë fusha. Por, jemi të vetëdijshëm për punën e madhe që na pret përpara në përmbushjen e misionit, vizionit dhe objektivave strategjike në funksion të arritjes së standardeve më ta larta evropiane të cilësisë, theksoi ai.
Universiteti gjendet në fazën e rishikimit të dokumenteve strategjike dhe rritjes së kapaciteteve të brendshme për adresimin e çështjeve të rëndësishme. Ne hyjmë të përgatitur në këtë proces, sepse kemi edhe një dokument, siç është “Baseline Assessment”, i cili paraqet një skanim të gjendjes ekzistuese nga një perspektivë e pavarur dhe jep rekomandime konkrete ku duhet të fokusohet puna.
Ndërkaq Prorektori Prof. Asoc. Dr. Shemsi Morina, pasi falënderoi Projektin HerasPlus për këtë dokument të rëndësishëm, u zotua se bashkarish me ekipin e z. Emurli me z. Dervishi dhe me bashkëpunëtorët tjerë, do të vazhdojnë punën menjëherë për adresimin e këtyre çështjeve që janë cekur në Studimin “Baseline Assesment”.