U promovua libri ‘Përtej dhimbjes, drejt guximit: Rrëfime për traumën e dhunës seksuale në luftë
Në Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren është bërë promovimi i librit ‘Përtej dhimbjes, drejt guximit: Rrëfime për traumën e dhunës seksuale në luftë”. Libri i ideuar dhe përgatitur në bashkëpunim ndërmjet Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës(QKRMT) dhe forumZFD programi në Kosovë dokumenton dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe ndikimin traumatik që këto përvoja kanë në organizimin familjar, komunitar dhe shoqëror. Në libër janë paraqitur intervistat e dhjetë familjarëve të të mbijetuarave të dhunës seksuale në luftë dhe të dy burrave të mbijetuar të dhunës seksuale nga lufta e fundit në Kosovë. I përpiluar në formë rrëfimtarie të historive gojore, libri shqyrton implikimet e dhunës seksuale në luftë dhe drejtësinë sociale përmes tregimeve të burrave dhe grave, vajzave dhe motrave, që (bashkë)jetojnë dhe ballafaqohen me traumën, turpërimin dhe stigmën kolektive. Në promovim, paneli i përbërë nga njohës të çështjes, organizatorë dhe bashkëpunëtorë do të diskutojnë për mënyrat se si ekspozimi i tërthortë ndaj kësaj traume ndikon shoqërinë, të afërmit dhe familjarët. Diskutimi po ashtu shqyrton diskursin mbi dhunën seksuale si pjesë e një narracioni më të gjerë historik dhe politikave publike, etikën dhe rëndësinë e dokumentimit të përvojave të tilla.
Me rastin e promovimit të librit një fjalë rasti e mbajti zv.rektorja Prof.Asoc.Dr. Albana Plakiqi Milami ndërsa Panelistë me rastin e promovimit ishin Selvi Izeti Cakraxhiu, QKRMT, Dr. Shkelqim Millaku, Universiteti I Prizrenit ‘Ukship Hoti’ dhe Korab Krasniqi, forumZFD program në Kosovë. Libri është i përgatitur në tri gjuhë.
Përgatitja dhe publikimi i librit mbështetet nga Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë dhe Ambasada Zvicerane në Kosovë.