Universiteti arriti marrëveshje bashkëpunimi me Ambasadën e SHBA-së - Sektorin për Diplomaci Publike
Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren, të martën ka arritur marrëveshje bashkëpunimi me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë – Sektorin për Diplomaci Publike. Marrëveshja është nënshkruar nga Rektori Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani dhe Jennifer Lawson, Këshilltare për Çështjet Publike.
Në thelb të marrëveshjes është krijimi i hapësirës dhe mbështetja e punës e një mësimdhënësi amerikan të gjuhës dhe letërsisë angleze në Programin e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze në Fakultetin e Filologjisë, i cili do të angazhohet nga data 1 tetor 2023 deri më 30 qershor 2024.
Rektori Alishani e vlerësoi lart arritjen e kësaj marrëveshje të bashkëpunimit dhe theksoi rëndësinë e saj për Universitetin. “Marrëveshja e nënshkruar sot për bashkëpunim me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një hap i madh për Universitetin tonë. Kjo do të sjellë një vlerë të jashtëzakonshme për komunitetin akademik dhe studentët tanë.”
Jennifer Lawson, Këshilltare për Çështjet Publike, ritheksoi përkushtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e zhvillimit të Republikës së Kosovës dhe të arsimit të lartë, në këtë kuadër edhe Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren.
Detyrat kryesore të mësimdhënësit amerikan përfshijnë mësimdhënien, projektimin e programit mësimor dhe trajnime për mësuesit. Po ashtu do të punojë me studentët e vitit të parë dhe të dytë në Universitetin Ukshin Hoti, ku fokusi kryesor do të jetë të mësojë lëndët përkatëse. Përveç kësaj, mësimdhënësi amerikan do të përqendrohet në projektimin e programeve mësimore, duke këshilluar fakultetin dhe stafin në zhvillimin e kurrikulave dhe programeve mësimore të gjuhës angleze.
#DiplomaciPublike #BashkëpunimNdërkombëtar #AmbasadaUSA #Edukimi #UniversitetiUkshinHoti