Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren, arrin marrëveshje bashkëpunimi me Komunën e Rahovecit
Rektori Alishani e falënderoi Kryetarin Latifi për vizitën dhe për gatishmërinë e shprehur për të bashkëpunuar me Universitetin në fushat e interesit reciprok. Ai theksoi se duke marr për bazë profilin e tij, krahas fushave tjera, do t’i kushtojë vëmendje edhe avancimit të programeve që janë me interes për rajonin e Prizrenit dhe posaçërisht për komunën e Rahovecit, si komunë me fushën e agrobiznesit mjaft të zhvilluar.
Ndërkaq, Kryetari Latifi pasi i uroi detyrën e Rektorit, theksoi se, si edhe deri më tani, ata janë të gatshëm të vazhdojnë bashkëpunimin, duke e thelluar atë. Ai potencoi se si ata janë të interesuar që Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren, të zgjerojë programet studimore në fushën e vreshtave dhe veprimtarive të tjera të komunës së Rahovecit, si zonë ku është e zhvilluar bujqësia.
Në thelb të marrëveshjes së nënshkruar është bashkëpunimi në hartimin dhe realizimin e projekteve të përbashkëta kombëtare dhe ndërkombëtare në funksion të zhvillimit të përgjithshëm edukativ, social dhe ekonomik.
Po ashtu në marrëveshje përfshihen shkëmbimi i ekspertëve të ndryshëm, kryerja e praktikës profesionale nga studentët e Universitetit në institucionin e komunës së Rahovecit dhe në institucionet vartëse, mbështetje e studentëve me bursa, shfrytëzimi i institucioneve dhe hapësirave komunale për studentët, stafin akademik dhe administrativ, bibliotekës komunale, qendra sportive, fushave sportive, institucionet kulturore komunale, angazhimi i një përfaqësuesit të Komunës në Bordin Këshillues Industrial të Fakultetit të Shkencave të Jetës dhe Mjedisit dhe bashkëpunimi në realizimin e Shkollës Verore Ndërkombëtare.
Në takimin që është zhvilluar me këtë rast ishin edhe Sekretari i Përgjithshëm z. Nexhmedin Krasniqi dhe udhëheqësi i Zyrës së Projekteve z. Tauland Thaçi , ndërsa nga ekipi i kryetarit të Rahovecit, z. Qemajl Krasniqi dhe z. Ali Morina.
Takimit ju bashkëngjitën edhe francezët në kuadër të projektit University Training: Vine & Wine France-Kosovo, Léonore BALLUE, Clotilde MARTIN, të cilat kanë mbajtur ligjëratë për studentët e Universitetit në kuadër të këtij projekti. Po ashtu në takim ishin edhe Prof. Asoc. Dr. Ekrem Gjoka dhe Prof. Ass. Dr. Nol Krasniqi të angazhuar në këtë projekt. Komuna e Rahovecit është e përfshirë në këtë projekt të suksesshëm.