Korpusi i Paqes i SHBA-së në bashkëpunim me Universitetin dhe Komunës e Prizrenit organizuan trajnim për mësuesit e gjuhës angleze
Korpusi i Paqes(Peace Corps) i Shteteve të Bashkuara të Amerikës , në bashkëpunim me Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren dhe Komunën e Prizrenit kanë organizuar trajnimin për mësimdhënësit e gjuhës angleze, me temën ”Make Students’ Learning Real and Effective” (“Bëjeni mësimin e nxënësve real dhe efektiv!”) . Ky sesion trajnimi unik, i mbajtur në Universitetin e Prizrenit , mblodhi figura të shquara, arsimtarë dhe ekspertë për të fuqizuar mësuesit e anglishtes me qasje dhe strategji inovative për nxitjen e mësimit efikas .
Ngjarja nisi me fjalime përshëndetëse nga përfaqësuesit institucioneve partnere. Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, Rektor i Universitetit, theksoi përkushtimin e universitetit për përmirësimin e peizazhit arsimor në Prizren, dhe se organizimi i këtij trajnimi shkon në këtë kuadër . Ai falënderoi për bashkëpunimin e treguar përfaqësuesit e Korpusit të Paqes dhe Komunën e Prizrenit . Dr. Carolyne Siganda, Drejtoreshë e Korpusit të Paqes në Kosovë, theksoi rolin e organizatës në promovimin e shkëmbimit ndërkulturor dhe avancimin e arsimit në Kosovë . Kryetari i Prizrenit, Z. Shaqir Totaj, shprehu mirënjohjen për iniciativën dhe theksoi rëndësinë e mësimit të gjuhës angleze për të rinjtë e qytetit . Znj. Luljeta Veselaj-Gutaj, Drejtore e Drejtorisë së Arsimit në Prizren, e vlerësoi si shumë të rëndësishëm organizimin e këtij trajnimi për mësimdhënësit e gjuhës angleze, i cili do të shkojë në funksion të avancimit profesional të tyre .
Ky trajnim një-ditor “Bëjeni mësimin e nxënësve real dhe efektiv!”, do të eksplorojë teoritë dhe praktikat e mësimdhënies dhe të nxënit të bazuar në kompetenca, me qëllim të mbështetjes të zbatimit të Kurrikulës së Kosovës.
Qëllimi themelor i trajnimit është të ndihmojë mësimdhënësit e gjuhës angleze në Kosovë që të zhvillojnë më tej ekspertizën e tyre pedagogjike dhe të fuqizojnë mësimin e bazuar në kompetenca në klasë. Fokusi i këtij trajnimi është në përshkrimin e teorive të mësimdhënies dhe të mësuarit të gjuhës angleze, si dhe të ofrohen metodologjitë, teknikat dhe aktivitetet që do të përmirësojnë të mësuarit e bazuar në kompetenca dhe do të promovojnë të menduarit kritik dhe zgjidhjen e problemeve në bashkëpunim.