U mbajt trajnimi me grupin e dytë me mësuesit e gjuhës angleze, organizuar nga Korpusi i Paqes i SHBA-së në bashkëpunim me Universitetin dhe Komunës e Prizrenit
Të shtunën është mbajtur trajnimi me grupin e radhës me mësuesit e gjuhës angleze të komunës së Prizrenit, i cili organizohet nga Korpusi i Paqes(Peace Corps) i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në bashkëpunim me Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren dhe Komunën e Prizrenit. Trajnimi me temën ”Make Students’ Learning Real and Effective” (“Bëjeni mësimin e nxënësve real dhe efektiv!”), ka për qëllim të eksplorojë teoritë dhe praktikat e mësimdhënies dhe të nxënit të bazuar në kompetenca, me qëllim të mbështetjes të zbatimit të Kurrikulës së Kosovës.
Trajnimi i radhës ka nisur me fjalët përshëndetëse nga nikoqiri, Rektori i Universitetit Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, Dr. Carolyne Siganda, Dr. Carolyne Siganda, Kryetari i Komunës, Shaqir Totaj dhe Drejtoresha e Arsimit Luljeta Gutaj-Veselaj, dhe është drejtuar nga Edita Kiseri-Alo, menaxhere e programit në Korpusin e Paqes.
Rektori Alishani falënderoi Korpusin e Paqes për këtë mundësi të ofruar, dhe shprehi besimin se trajnimi do të këtë efektin pozitivë.
Znj. Siganda falënderoi mësueset dhe mësuesit që kanë ardhur në trajnim dhe shprehu besimin e sajë se do të jetë produktiv ky trajnim, duke theksuar se qëllimi Peace Corps është të ndajnë paqe përmes miqësisë.
Kryetari Totaj në fjalën e tij theksoi se kur mësohet një gjuhë e huaj, në të njëjtën kohë mësohet edhe një pjesë nga ajo kulturë gjatë mësimit, në këtë kuadër ne kemi shumë të mësojmë nga vjen gjuha angleze.
Drejtoresha Gutaj-Veselaj theksoi se mësuesit po ndërtojnë njohuri të reja mbi bazën e strategjive të mësimdhënies dhe falënderoi Korpusin e Paqes për këtë mundësi.
Qëllimi themelor i trajnimit është të ndihmojë mësimdhënësit e gjuhës angleze në Kosovë që të zhvillojnë më tej ekspertizën e tyre pedagogjike dhe të fuqizojnë mësimin e bazuar në kompetenca në klasë. Fokusi i këtij trajnimi është në përshkrimin e teorive të mësimdhënies dhe të mësuarit të gjuhës angleze, si dhe të ofrohen metodologjitë, teknikat dhe aktivitetet që do të përmirësojnë të mësuarit e bazuar në kompetenca dhe do të promovojnë të menduarit kritik dhe zgjidhjen e problemeve në bashkëpunim.