

Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren pranon një donacion të çmuar librash nga z. Albert Martin Steffe
Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren ka pranuar së fundmi një donacion me vlerë prej rreth 110 librash nga z. Albert Martin Steffe, gjuhëtar dhe ish-mësimdhënës i gjuhës gjermane dhe gjuhëve të huaja në Hamburg, Gjermani.
Ky donacion përfshin literaturë të pasur nga fusha të ndryshme si: gjuhë dhe letërsi gjermane, angleze, franceze, suedeze, histori, filozofi, psikologji, teologji, muzikë, periudha e Vikingëve, këshillim, si dhe libra dhe materiale turistike e harta udhëtimi të gjitha me vlerë të veçantë për pasurimin e bibliotekave akademike.
Dorëzimi i librave në Prizren u bë i mundur falë bashkëpunimit me MPJD, respektivisht Konsullatën e Republikës së Kosovës në Hamburg, në veçanti me angazhimin e konsullit z. Mizbah Mustafa, të cilit i jemi thellësisht mirënjohës për ndërmjetësimin dhe përkujdesjen gjatë transportit.
Universiteti shpreh falënderimet më të sinqerta për z. Steffe dhe bashkëshorten e tij për këtë akt bujarie, si dhe për besimin që ata treguan duke zgjedhur Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren si vendmbërritje të këtij donacioni. Ky gjest është një kontribut i drejtpërdrejtë në zhvillimin akademik të studentëve dhe stafit dhe përforcon më tej lidhjet e solidaritetit ndërkombëtar në arsim dhe kulturë.
Universiteti është i hapur dhe i gatshëm për bashkëpunime të tilla në të ardhmen, që ndihmojnë në pasurimin e burimeve të dijes për komunitetin tonë akademik.





