

Fillon rrugëtimi i studentëve të rinj – testi pranues i zhvilluar me sukses
Sot, më 15.07.2025, në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren u zhvillua me sukses provimi pranues për kandidatët e rinj në gjashtë njësi akademike të institucionit: Fakultetin Juridik, Fakultetin Ekonomik, Fakultetin e Shkencave Kompjuterike, Fakultetin e Edukimit, Fakultetin e Shkencave të Jetës dhe Mjedisit, si dhe Fakultetin e Filologjisë.
Procesi u monitorua nga afër nga menaxhmenti i universitetit, përfshirë Rektorin Prof. Assoc. Dr. Mentor Alishani, prorektorët, sekretari, dekanët dhe stafin administrativ, si dhe nga Parlamenti Studentor, në cilësinë e vëzhguesve të pavarur.
Pjesëmarrja e përfaqësuesve të studentëve si vëzhgues garanton edhe më shumë transparencë dhe përfshirje në proceset kyçe të universitetit, duke forcuar besimin në integritetin e organizimit të testimit.
Rektori Alishani theksoi përkushtimin e universitetit për të garantuar një proces të drejtë, të rregullt dhe profesional, si dhe rëndësinë e përzgjedhjes së kandidatëve përmes një konkurrimi të ndershëm dhe objektiv.
Procesi i testimit u zhvillua në kushte të përshtatshme, me përkushtim maksimal për respektimin e standardeve të organizimit akademik.
Universiteti “Ukshin Hoti” mbetet i përkushtuar për të mirëpritur gjeneratën e re të studentëve që do të kontribuojnë në misionin tonë për dije, zhvillim dhe progres.


















