

Përurimi i librit “Proza popullore legjendare shqiptare” të prof. dr. Sabahajdin Cenës
Në një ngjarje të veçantë kulturore të mbajtur në Rahovec, u përurua libri “Proza popullore legjendare shqiptare”, vepër e autorit të ndjerë prof. dr. Sabahajdin Cena – studiues i shquar i trashëgimisë shpirtërore shqiptare dhe figurë me ndikim të madh në historinë e re të vendit tonë.
Ky libër, i bazuar në disertacionin e doktoratës së autorit, përfaqëson një kontribut të çmuar në fushën e folkloristikës dhe studimit të letërsisë popullore shqiptare. Përmes këtij botimi, prof. Cena ka ofruar një vlerë të qëndrueshme akademike dhe kulturore, duke lidhur pasurinë shpirtërore të popullit me historinë dhe identitetin kombëtar.
Ngjarja u mbajt me mbështetjen e Komunës së Rahovecit, ku me fjalë rasti u paraqit edhe kryetari i komunës, z. Smajl Latifi, i cili vlerësoi lart kontributin e prof. Cenës në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore kombëtare. Në ceremoni morën pjesë edhe përfaqësues të Degës së OVL-UÇK-së në Rahovec, të cilët theksuan lidhjen e pandarë mes veprimtarisë atdhetare dhe asaj kulturore të autorit.
Fjalë rasti mbajti edhe rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren, prof. asoc. dr. Mentor Alishani, i cili e cilësoi veprën si një kontribut të rëndësishëm për studimet albanologjike dhe një model të angazhimit shkencor me ndjeshmëri kombëtare.
Për realizimin e këtij botimi, mirënjohje të veçanta iu dhanë:
prof. dr. Besim Muhadri,
prof. asoc. dr. Flamur Shala,
si dhe Samedin Cena, i biri i autorit,
të cilët kontribuan me përkushtim profesional në përgatitjen dhe botimin e librit.
Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren mbështet dhe nxit çdo përpjekje që pasuron dijen shkencore dhe forcon ndërgjegjen kombëtare, duke nderuar figurat që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën, arsimin dhe historinë tonë të përbashkët.
Nder dhe respekt për prof. dr. Sabahajdin Cenën dhe trashëgiminë e tij shkencore!



















