

Dr. Carl Canlas përfundon vizitën e tij në Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren në kuadër të programit Fulbright Specialist
Pas një periudhe të suksesshme bashkëpunimi akademik dhe profesional, eksperti amerikan Dr. Carl Canlas ka përfunduar vizitën e tij në Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren, të realizuar në kuadër të programit Fulbright Specialist. Në shenjë vlerësimi për kontributin e tij të çmuar në zhvillimin e aktiviteteve akademike dhe profesionale në kuadër të programit Fulbright Specialist, Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren, Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, i ndau mirënjohje Dr. Carl Canlas. Me këtë rast, Rektori Alishani e falënderoi Dr. Canlas për angazhimin, ekspertizën dhe bashkëpunimin e frytshëm me stafin akademik, administrativ dhe studentët. duke theksuar rëndësinë e projekteve ndërkombëtare në avancimin e cilësisë së arsimit të lartë dhe forcimin e lidhjeve akademike ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjatë qëndrimit të tij, Dr. Canlas zhvilloi një sërë trajnimesh, punëtorish dhe ligjëratash për stafin akademik, stafin administrativ dhe studentët, duke ndarë përvojën dhe ekspertizën e tij në fushën e inteligjencës artificiale, inovacionit dhe arsimit të lartë. Aktivitetet e realizuara ofruan mundësi të vlefshme për shkëmbim njohurish, zhvillim profesional dhe diskutim mbi përdorimin etik dhe efektiv të teknologjive të reja në universitet.
Një ndër rezultatet më të rëndësishme të këtij bashkëpunimi ishte hartimi i Rregullores për Përdorimin Etik të Inteligjencës Artificiale në Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren, e cila do të shërbejë si një dokument udhëzues për integrimin e përgjegjshëm të inteligjencës artificiale në proceset akademike dhe administrative.
Aktivitetet e projektit u koordinuan nga Prof. Ass. Dr. Dorinë Rakaj, duke siguruar përfshirjen e stafit akademik, administrativ dhe studentet si dhe realizimin me sukses të objektivave të programit.
Universiteti falënderon Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë dhe programin Fulbright Specialist për mbështetjen e vazhdueshme në forcimin e bashkëpunimit akademik ndërkombëtar dhe zhvillimin e kapaciteteve institucionale.






