

Universiteti i Prizrenit dhe ASHAK nënshkruajnë Memorandum Bashkëpunimi
Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) kanë nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi, me synim forcimin e bashkëpunimit institucional në fushën e kërkimit shkencor, zhvillimit akademik dhe realizimit të aktiviteteve me interes të përbashkët.
Memorandumi u nënshkrua nga Akademike Justina Shiroka-Pula, Kryetare e ASHAK-ut, dhe Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, Rektor i Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve në funksion të avancimit të shkencës, arsimit dhe kulturës në Kosovë.
Në ceremoninë e nënshkrimit mori pjesë edhe Akademik Frashër Demaj, Sekretar i Seksionit të Shkencave Shoqërore të ASHAK-ut. Të pranishëm ishin gjithashtu Prof. Asoc. Dr. Luan Vardari, Prorektor për Mësimdhënie, Çështje të Studentëve dhe Kërkime Shkencore, Prof. Asoc. Dr. Serdan Kervan, Prorektor për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Ngritje të Cilësisë, si dhe MSc. Nexhmedin Krasniqi, Sekretar i Përgjithshëm i Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren.
Në kuadër të këtij memorandumi, palët janë dakorduar të bashkëpunojnë në realizimin e projekteve shkencore me interes për zhvillimin shoqëror, ekonomik dhe kulturor të vendit, në organizimin e konferencave, simpoziumeve, seminareve dhe aktiviteteve të tjera shkencore, si dhe në zhvillimin e iniciativave të përbashkëta për bashkëpunim ndërkombëtar. Gjithashtu, marrëveshja parasheh shkëmbimin e ekspertizës dhe shfrytëzimin e përbashkët të burimeve profesionale për realizimin e aktiviteteve me interes të ndërsjellë.
Përmes këtij partneriteti, Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren dhe ASHAK synojnë të kontribuojnë në avancimin e mendimit shkencor, përmirësimin e cilësisë në arsimin e lartë dhe fuqizimin e rolit të institucioneve akademike në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
Memorandumi do të jetë në fuqi për një periudhë katërvjeçare, me mundësi vazhdimi me pëlqimin e të dyja palëve.
Ky bashkëpunim dëshmon përkushtimin e Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren për ndërtimin e partneriteteve strategjike me institucionet më të larta shkencore të vendit, duke krijuar mundësi të reja për zhvillim akademik, kërkimor dhe profesional për stafin akademik dhe studentët e universitetit.











