

Universiteti i Prizrenit bashkorganizator i Konferencës së X Mbarëkombëtare të Arkivistikës
Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren është bashkorganizator i Konferencës së X Mbarëkombëtare të Arkivistikës, e cila organizohet nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë.
Konferenca Mbarëkombëtare e Arkivistikës është një aktivitet tradicional shkencor dhe profesional që organizohet çdo vit nga dy institucionet arkivore, në bashkëpunim me partnerë lokalë. Ky aktivitet ka filluar në vitin 2017 në Tiranë dhe ndër vite është organizuar në Prishtinë, Shkup, Sarandë, Tuz, Boletin, Manastir, Elbasan dhe Kalabri, duke u shndërruar në një platformë të rëndësishme për bashkëpunim dhe shkëmbim të përvojave në fushën e arkivistikës.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë Zëvendësministrja e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, znj. Nora Arapi Krasniqi, Sekretari i Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, z. Bislim Bislimi, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë z. Auron Rrokaj, si dhe drejtues e arkivistë nga të dy arkivat. Të pranishëm ishin edhe studiues dhe ekspertë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndër ta edhe Prof. Asoc. Dr. Ardit Bido, ish Drejtor i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë dhe aktualisht deputet i Kuvendit të Shqipërisë.
Me këtë rast, fjalë përshëndetëse mbajti edhe Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, i cili theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në ruajtjen, promovimin dhe studimin e trashëgimisë dokumentare, si dhe rolin e universiteteve në avancimin e kërkimit shkencor në fushën e arkivistikës.
Konferenca synon promovimin e arkivistikës si disiplinë shkencore dhe profesionale, shkëmbimin e përvojave ndërmjet institucioneve arkivore, prezantimin e rezultateve të kërkimeve shkencore, si dhe diskutimin e çështjeve që lidhen me administrimin, mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë dokumentare.
Gjatë edicioneve të saj, konferenca ka trajtuar tema të rëndësishme që lidhen me historinë, arkivistikën, digjitalizimin e materialit arkivor, qasjen në dokumente, legjislacionin arkivor dhe zhvillimet bashkëkohore në fushën e menaxhimit të dokumentacionit.
Punimet shkencore të prezantuara në konferencë botohen në revistën shkencore “Arkivat Shqiptare”, botim i përbashkët i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Republikës së Kosovës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Republikës së Shqipërisë, duke kontribuar në pasurimin e literaturës shkencore dhe profesionale në fushën e arkivistikës.































