

Dorëzohen koleksionet e gazetës “DRITA” dhe revistës “Nëntori” në Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren – pasuri e çmuar dokumentare
Në ambientet e Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren u bë dorëzimi i një koleksioni të rrallë dhe me vlerë të jashtëzakonshme historike të materialeve të shtypit shqiptar. Në këtë aktivitet morën pjesë Rektori i Universitetit, Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, Dekanja e Fakultetit të Filologjisë, Prof. Asoc. Dr. Vjollca Dibra, si dhe Prodekani i Fakultetit të Filologjisë, Prof. Ass. Dr. Fikret Ramadani.
Koleksioni u dorëzua nga Altin Dilaveri, Flobens Dilaveri, Edlira Dilaveri, dhe Arjola Dilaveri, të cilët mundësuan transferimin dhe dokumentimin e botimeve të ruajtura me kujdes ndër vite nga studiuesi prof. dr. Dilaver Dilaveri.
Koleksioni i gazetës “DRITA”
Koleksioni përfshin 24 vite botimi të gazetës “DRITA”, nga viti 1961 deri në vitin 1990. Çdo vit është i sistemuar dhe i lidhur në blloqe të veçanta, duke garantuar ruajtjen e formës origjinale të materialeve.
Vitet e përfshira: 1961, 1963, 1965, 1968, 1969, 1971, 1972, 1973, 1974,1975, 1976, 1977, 1978, 1979, 1980, 1981, 1982, 1983, 1984, 1985, 1986, 1987,1988 dhe 1990.
Koleksioni i revistës “Nëntori”
U dorëzua edhe koleksioni i plotë i revistës letrare “Nëntori”, e cila është botuar nga viti 1959 deri në vitin 1979, për një periudhë prej 21 vitesh.
Secili vit përmban 12 numra, duke e çuar totalin në 252 revista, me nga 100–150 faqe secila.













