

Ceremonia e diplomimit në Universitetin “Ukshin Hoti” – Prizren, në nderim të 82-vjetorit të lindjes së Ukshin Hotit
Ceremonia filloi me intonimin e Himnit Kombëtar dhe të Republikës së Kosovës, pasuar nga homazhet pranë shtatores së Ukshin Hotit në kampusin e universitetit. Në homazhe morën pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti dhe zëvendësministri i MAShTI, z. Taulant Kelmendi.
Në ceremoni ishin të pranishëm edhe: fëmijët e Ukshin Hotit, Andin dhe Brisilda Hoti, kryetari i Komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi, konsulli i Republikës së Turqisë, z. Celal Doğan, kryetari i Bashkësisë Islame në Prizren, z. Valon Ibrahimi, deputetë të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, si dhe kryetari i Këshillit Drejtues të Universitetit, Prof. Arif Murrja.
Pjesa solemne e fjalimeve u hap nga Rektori Alishani, i cili theksoi rëndësinë që bart kjo ditë për të diplomuarit dhe për institucionin. Kryeministri Kurti në fjalën e tij vlerësoi figurën e Ukshin Hotit si një simbol të mendimit të lirë dhe të rezistencës intelektuale. Më pas, foli z. Andin Hoti, i biri i Ukshin Hotit, duke falënderuar universitetin për ruajtjen dhe promovimin e figurës së tij. Në fund, në emër të studentëve të diplomuar, foli znj. Bleona Buduri, përfaqësuese e Parlamentit Studentor.







































