

Dy Vullnetarë të Peace Corps angazhohen në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren
Fakulteti i Filologjisë në Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren ka mirëpritur dy vullnetarë të Peace Corps, të cilët do të kontribuojnë në zhvillimin akademik dhe mbështetjen profesionale të Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Angleze, në kuadër të projekteve të fituara nga Fakulteti me Peace Corps.
Douglas Upton, vullnetar i Peace Corps, po shërben si Këshilltar për Vlerësim dhe Analizë të Nevojave në Fakultetin e Filologjisë. Ai është angazhuar në një projekt gjashtëmujor që synon të vlerësojë mundësitë dhe perspektivat e programeve të masterit në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze. Z. Upton është i diplomuar nga Universiteti Stanford dhe ka mbi 25 vite përvojë në nxitjen e inovacionit dhe bashkëpunimit në arsimin e lartë, veçanërisht në fushën e mobilitetit akademik dhe praktikave më të mira të arsimit ndërkombëtar.
Travis Holland, shkrimtar amerikan dhe vullnetar i Peace Corps, është angazhuar për të mbështetur aktivitetet akademike në fushën e letërsisë angleze. Ai është autor i njohur, me veprat e tij të botuara në revista letrare prestigjioze si Ploughshares, Glimmer Train dhe Five Points. Romani i tij i parë, The Archivist’s Story, është nominuar për Çmimin Ndërkombëtar Dublin Literary Award dhe është përkthyer në njëmbëdhjetë gjuhë. Libri ka fituar vlerësime të shumta, përfshirë: Guardian Readers’ Pick (2007), Barnes and Noble Discover Great New Writers Award, si dhe është përzgjedhur si një nga librat më të mirë të vitit nga Financial Times, Publisher’s Weekly dhe Metro.co.uk. Në vitin 2008 ai fitoi VCU Cabell First Novelist Award.
Gjatë vizitës së tyre në universitet, vullnetarët u pritën në takim nga Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren, Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, Prorektori për Mësimdhënie dhe Çështje Akademike, Prof. Ass. Dr. Luan Vardar, Prorektorja për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Ngritje të Cilësisë, Prof. Asoc. Dr. Serdan Kervan, si dhe Prof. Asoc. Dr. Sermin Turtulla, e cila ka udhëhequr projektet e bashkëpunimit me Peace Corps dhe ka luajtur rol kyç në realizimin e angazhimeve akademike të vullnetarëve.
Udhëheqësit institucionalë shprehën mirënjohje për kontributin e vullnetarëve dhe vlerësuan lartë bashkëpunimin me Peace Corps, duke e konsideruar atë një mundësi të rëndësishme për forcimin e kapaciteteve akademike, ndërkombëtarizimin dhe ngritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe kërkimit shkencor në Fakultetin e Filologjisë.
Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren vlerëson angazhimin e vullnetarëve dhe mbështetjen e Peace Corps në zhvillimin profesional të stafit dhe studentëve, si dhe në avancimin e standardeve akademike në institucion.








