

Edhe një tjetër donacion i çmuar librash nga z. Albert Martin Steffe për Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren
Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren ka kënaqësinë të njoftojë pranimin e një donacioni të ri librash nga z. Albert Martin Steffe, gjuhëtar dhe ish-mësimdhënës i gjuhës gjermane dhe gjuhëve të huaja në Hamburg, Gjermani. Me këtë donacion të radhës, z. Steffe vazhdon të tregojë mbështetjen e tij të vazhdueshme për zhvillimin akademik të institucionit tonë.
Donacioni përfshin rreth 108 tituj të rinj nga fusha të larmishme të dijes, duke përfshirë gjuhësi dhe letërsi në disa gjuhë të huaja, histori, filozofi, psikologji, teologji, muzikë, studime për periudhën e Vikingëve, këshillim dhe materiale të pasura turistike e harta udhëtimi. Të gjitha këto botime përbëjnë një pasuri të rëndësishme për bibliotekat tona dhe mundësi studimi e kërkimi për studentët dhe stafin akademik.
Ky donacion u bë i mundur falë bashkëpunimit me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës, respektivisht Konsullatën në Hamburg, me mbështetjen e konsullit z. Mizbah Mustafa, të cilit i shprehim mirënjohje të veçantë për angazhimin dhe përkujdesjen në transportimin e librave drejt Prizrenit.
Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren i shpreh falënderimet më të sinqerta z. Steffe dhe bashkëshortes së tij për këtë akt bujarie dhe për besimin e treguar ndaj institucionit tonë. Ky gjest përforcon lidhjet e bashkëpunimit dhe solidaritetit ndërkombëtar në fushën e arsimit dhe kulturës.
Universiteti mbetet i angazhuar të vazhdojë bashkëpunime të kësaj natyre, të cilat kontribuojnë drejtpërdrejt në pasurimin e burimeve të dijes dhe rritjen e cilësisë akademike.







