

Erasmus+ CIVIC Project (Crafting Innovative Virtual Interactions for Civic Competences)
Profesori Rifat Morina mori pjesë në takimin e rëndësishëm të Komitetit drejtues (Steering Committee) në kuadër të projektit ndërkombëtar Erasmus+ CIVIC, i cili u mbajt në ambientet e UCLL – University of Applied Sciences në Leuven, Belgjikë nga data 21-22.04.26.
Ky projekt bashkon institucione të arsimit të lartë dhe partnerë strategjikë nga disa vende evropiane, me qëllim zhvillimin e qasjeve inovative për forcimin e kompetencave qytetare përmes ndërveprimeve virtuale dhe teknologjive moderne të mësimnxënies. Në këtë takim morën pjesë përfaqësues nga 10 institucione partnere nga Kosova, Shqipëria, Greqia, Bosnja dhe Hercegovina, si dhe Belgjika.
Gjatë takimit u diskutuan me detaje fazat kryesore të implementimit të projektit, koordinimi ndërmjet partnerëve, ndarja e përgjegjësive, si dhe aktivitetet që do të zhvillohen në periudhën e ardhshme. Po ashtu, u vendosën hapat konkretë për realizimin me sukses të objektivave të projektit, duke përfshirë zhvillimin e moduleve digjitale, shkëmbimin e përvojave akademike dhe krijimin e metodologjive të reja për promovimin e edukimit qytetar.
Pjesëmarrja e Prof. Rifat Morina në këtë forum të rëndësishëm ndërkombëtar përfaqëson një kontribut të çmuar në fuqizimin e bashkëpunimit akademik ndërkombëtar dhe në përfshirjen aktive të universiteteve të rajonit në projekte evropiane me ndikim të gjerë.
Ky projekt paraqet një mundësi të shkëlqyer për avancimin e cilësisë në arsim, inovacionit pedagogjik dhe përgatitjen e studentëve me kompetenca qytetare të nevojshme për sfidat e shoqërisë bashkëkohore.








