

Java e Mirëseardhjes 2024!
Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren ju fton të merrni pjesë në aktivitetet e Javës së Mirëseardhjes dhe aktivitetet e rëndësishme që janë përfshirë për t’ju ndihmuar të përgatiteni dhe të jeni gati për të filluar studimet tuaja.
Java e Mirëseardhjes, Tetor 2024
Urojmë të filloni mbarë një vit akademik të ri 2024-25 dhe të tregoni sukseset më të larta gjatë studimeve tuaja.
Të gjithë studentët e rinj ftohen të marrin pjesë në aktivitetet që do të organizohen më këtë rast.
Kjo javë është një kohë e dedikuar për ju që të eksploroni Universitetin dhe kampusin, të takoni studentët, mësimdhënësit, udhëheqësit e programeve dhe të mësoni kuptimin e jetës studentore që ju pret.
Do të ketë shumë mundësi dhe mbështetje në dispozicion për t’ju ndihmuar të bëni gjithçka gjatë Javës së Mirëseardhjes.
Mirësevini në Universitetin e Prizrenit:
Të gjithë në Universitet janë të entuziazmuar që të takohen me ju dhe së bashku, ne kemi bashkuar një program kualitativ dhe emocionues të ngjarjeve dhe aktiviteteve që do t’ju ofrojnë informacion thelbësor për të filluar, mundësi për tu socializuar, eksploruar dhe kontribuar dhe t’ju sigurojnë përshtypjen e parë pozitive dhe lidhjen e qëndrueshme me Universitetin.
Ngjarjet kryesore dhe orari:
E martë, ora 10:00, në Amfiteatrin e madh
1. Eventi qendror me të gjithë studentët e regjistruar nga ku studentëve do t’u drejtohet me fjalë përshëndetëse rektori i Universitetit, Prof.Asoc.Dr Mentor Alishani dhe njëkohësisht studentët do të njoftohen me aktivitetet që zhvillohen ne kuadër të Qendrës së Karrierës e poashtu do të marrin edhe njohuri rreth Kodit të Etikës së Universitetit. Studentët do të njoftohen edhe me strukturat e Parlamentit Studentor dhe aktiviteteve që zhvillojnë studentët.
E martë ora 11.00 në sallat e të gjitha Fakulteteve.
2. Pas eventit qendror, studentët do të shpërndahen tek fakultetet ku ata janë regjistruar. Aty do të mbahet një takim mirëseardhës nga Dekani i fakultetit përkatës dhe ku pjesëmarrës do të jenë të gjithë mësimdhënësit dhe shefat e programeve. Studentët do të njoftohen me programin studimor, mundësitë që ofron universiteti, do të njoftohen me strukturat e fakultetit dhe procesin mësimor dhe me këshilltarët akademik në njësitë akademike.
Pas këtyre ngjarjeve, do të organizohet një vizitë nëpër kampus ku studentët do të njihen me sallat mësimore, bibliotekën, laboratorët, bufenë, dhe hapësirat e tjera.
Ndërsa gjatë gjithë javës, shefat e programeve do të takojnë personalisht studentët e interesuar, në bazë të nevojave që kanë për sqarime tjera shtesë.
Mirësevini në Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren!



