

Këshilli Kombëtar i Shkencës mban mbledhjen e rregullt në Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren
Nën udhëheqjen e Kryetares Prof. Myzafere Krasniqi – Limani, Këshilli Kombëtar i Shkencës ka mbajtur mbledhjen e rregullt në hapësirat e Universitetit të Prizrenit. Vizita u zhvillua në një atmosferë bashkëpunuese, ku anëtarët e këshillit u pritën ngrohtësisht nga Rektori i Universitetit, Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani.
Gjatë takimit, u diskutuan çështje të rëndësishme që lidhen me zhvillimin e politikave shkencore në vend, forcimin e rolit të Këshillit në orientimin strategjik të kërkimeve shkencore, si dhe bashkëpunimin me institucionet e arsimit të lartë për promovimin e ekselencës akademike dhe inovacionit.
Rektori Alishani shprehu mirënjohjen për vizitën dhe theksoi rëndësinë që ka një bashkëpunim i ngushtë ndërmjet universiteteve dhe Këshillit Kombëtar të Shkencës për krijimin e një klime të favorshme kërkimore dhe akademike në Kosovë.
Kjo mbledhje është dëshmi e përkushtimit të Këshillit për të qëndruar pranë institucioneve të arsimit të lartë dhe për të ndihmuar në hartimin e politikave të qëndrueshme në fushën e shkencës dhe teknologjisë.



























