

Këshilli Shtetëror i Cilësisë mban mbledhjen e radhës në Universitetin “Ukshin Hoti” – Prizren
Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren mirëpriti sot, më 16 qershor 2025, anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC) si dhe përfaqësues të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, të cilët mbajtën mbledhjen e radhës në ambientet e universitetit.
Gjatë vizitës, Kryetarja e KShC-së, Prof. Hasnije Ilazi, së bashku me anëtarët e tjerë të këshillit dhe Drejtorin e Agjencisë së Akreditimit, z. Naim Gashi, u pritën fillimisht në një takim të shkurtër nga Rektori i Universitetit, Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, në zyrën e tij.
Pas takimit, përfaqësuesit vizituan ambientet e kampusit universitar, ku u njohën nga afër me infrastrukturën akademike dhe objektet në shërbim të studentëve dhe stafit.
Mbledhja zyrtare e KShC-së u zhvillua në njërën nga sallat e universitetit, ku u diskutuan çështje të rëndësishme që lidhen me sigurimin e cilësisë, proceset e akreditimit dhe avancimin e mëtejshëm të arsimit të lartë në Kosovë.














