

Komuna e Dragashit bashkëfinancuese e edicionit të 4-të të Shkollës Verore Ndërkombëtare
Komuna e Dragashit do të jetë bashkëfinancuese e edicionit të katërt të Shkollës Verore Ndërkombëtare, një ngjarje akademike që synon të promovojë bashkëpunimin ndërkombëtar, shkëmbimin kulturor dhe fuqizimin e të rinjve përmes arsimit cilësor.
Në takimin e zhvilluar për këtë qëllim, morën pjesë rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, koordinatori i edicionit të 4-të të Shkollës Verore, Prof. Asoc. Dr. Rifat Morina, kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, si dhe kryetarja e Asamblesë Komunale, Arjeta Qafleshi-Skeraj.
Pjesëmarrësit diskutuan për rëndësinë e këtij bashkëpunimi dhe për përfitimet që sjell për komunitetin lokal, në veçanti për të rinjtë dhe studentët që do të kenë mundësinë të përfitojnë nga ligjëratat, punëtoritë dhe aktivitetet kulturore që do të zhvillohen në kuadër të shkollës verore.
Kryetari Xheladini dhe kryetarja e Asamblesë Komunale Qafleshi-Skeraj shprehën përkushtimin e institucioneve komunale për të mbështetur iniciativa të tilla që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin arsimor dhe kulturor të komunës.
Shkolla Verore Ndërkombëtare pritet të mbahet gjatë muajve të verës dhe të mbledhë pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës.






