

Komuna e Malishevës bashkëfinancuese e Edicionit të 4-të të Shkollës Verore Ndërkombëtare të Universitetit të Prizrenit
Komuna e Malishevës është bashkëfinancuese e edicionit të katërt të Shkollës Verore Ndërkombëtare të organizuar nga Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren.
Përmes kësaj mbështetjeje, Komuna e Malishevës konfirmon përkushtimin e saj për të investuar në arsim, në rininë aktive dhe në bashkëpunime akademike që i kontribuojnë zhvillimit të dijes dhe ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë në Kosovë.
Kryetari i Komunës së Malishevës, z. Ekrem Kastrati, shprehu gatishmërinë për të mbështetur edhe në të ardhmen iniciativa të tilla që sjellin vlera për të rinjtë dhe për komunitetin:
“Komuna e Malishevës mbështet çdo nismë që forcon dijen, zhvillon kapacitetet e të rinjve dhe krijon ura bashkëpunimi akademik. Jemi të përkushtuar të jemi pjesë aktive në projekte që i japin vendit tonë perspektivë përmes dijes.”
Rektori i Universitetit të Prizrenit, Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, falënderoi Komunën e Malishevës dhe Kryetarin Kastrati për mbështetjen e dhënë, duke theksuar rëndësinë që ka partneriteti me institucionet lokale në suksesin e Shkollës Verore:
“Falënderojmë Komunën e Malishevës për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme. Kontributi i tillë është thelbësor për rritjen e cilësisë dhe ndikimit të Shkollës Verore në nivel vendor dhe ndërkombëtar.”
Shkolla Verore Ndërkombëtare e Universitetit të Prizrenit synon të krijojë një ambient të hapur për shkëmbim të dijes dhe përvojave mes studentëve dhe ligjëruesve nga vende të ndryshme, duke e shndërruar këtë ngjarje në një qendër të rëndësishme të mësimit dhe bashkëpunimit akademik.





