

Komuna e Rahovecit është bërë bashkëfinancuese edhe në edicionin e katërt të Shkollës Verore Ndërkombëtare të organizuar nga Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren
Ky bashkëpunim është dëshmi e përkushtimit të Komunës për të mbështetur arsimin, fuqizimin e të rinjve dhe nxitjen e bashkëpunimeve akademike me karakter ndërkombëtar. Shkolla Verore synon të ofrojë një platformë ku studentë vendorë dhe ndërkombëtarë marrin pjesë në ligjërata dhe punëtori nga profesorë të fushave të ndryshme, duke shkëmbyer dije dhe përvoja.
Kryetari i Komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi, theksoi se përkrahja e këtij projekti është dëshmi e angazhimit për të ndërtuar ura bashkëpunimi dhe për të krijuar më shumë mundësi për të rinjtë:
“Investimi në dije dhe rini është investim në të ardhmen. Jemi krenarë që si Komunë jemi pjesë e kësaj nisme që sjell vlera dhe përvojë ndërkombëtare për studentët tanë.”
Rektori i Universitetit të Prizrenit, Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, shprehu mirënjohjen për përkrahjen institucionale të Komunës së Rahovecit, duke theksuar rëndësinë që ka mbështetja e nivelit lokal për projekte arsimore me ndikim më të gjerë:
“Faleminderit Komunës së Rahovecit dhe Kryetarit Latifi për besimin dhe përkrahjen e vazhdueshme. Kjo mbështetje na motivon që ta rrisim cilësinë dhe ndikimin e Shkollës Verore në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.”
Komuna e Rahovecit do të vazhdojë të mbështesë projekte që promovojnë arsimin, inovacionin dhe zhvillimin profesional të të rinjve.







