

Komuna e Suharekës edhe këtë vit mbështet financiarisht edicionin e 4-të të Shkollës Verore Ndërkombëtare të Universitetit të Prizrenit
Ashtu si çdo vit, Komuna e Suharekës ka vazhduar përkrahjen e saj për Shkollën Verore Ndërkombëtare të Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren, duke ofruar mbështetje financiare për edicionin e katërt të këtij programi arsimor me rëndësi ndërkombëtare.
Kjo mbështetje tashmë është bërë pjesë e traditës dhe dëshmon përkushtimin e Komunës për të investuar në edukimin e të rinjve, fuqizimin e bashkëpunimit akademik dhe promovimin e shkëmbimeve ndërkulturore. Shkolla Verore mbledh studentë dhe ligjërues nga vende të ndryshme të botës për ligjërata, punëtori dhe aktivitete kulturore, duke krijuar një mjedis të pasur për mësim dhe bashkëpunim.
Kryetari i Komunës së Suharekës, z. Bali Muharremaj, theksoi:
“Mbështetja e arsimit dhe e projekteve ndërkombëtare është pjesë e vizionit tonë për zhvillim të qëndrueshëm dhe investim në të ardhmen e gjeneratave të reja.”
Rektori i Universitetit të Prizrenit, Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e pandërprerë nga Komuna e Suharekës, duke thënë:
“Falënderojmë Kryetarin Bali Muharremaj dhe Komunën e Suharekës për përkrahjen e vazhdueshme që nga fillimi i Shkollës Verore. Kjo mbështetje është thelbësore për suksesin dhe rritjen e vazhdueshme të këtij programi akademik me karakter ndërkombëtar.”
Shkolla Verore Ndërkombëtare e Universitetit të Prizrenit vazhdon të forcojë pozicionin e saj si një ngjarje e rëndësishme akademike në rajon, duke ofruar mundësi të reja për të rinjtë në një mjedis ndërdisiplinor dhe ndërkombëtar.






