

KOMUNIKATË SHTYPI - Ftesë për pjesëmarrje në zgjedhjet e studentëve
Komisioni i Zgjedhjeve të Studentëve (KQZ) në Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren, bën thirrje për të gjithë studentët, që ta shfrytëzojnë të drejtën për të votuar.
Të dashur kolegë studentë, duke pasur parasysh faktin që e drejta për të zgjedhur është njëra nga të drejtat elementare të njeriut, ju bëjmë thirrje që më datë 10.07.2023 (e Hënë), ta shfrytëzoni të drejtën demokratike për të votuar, duke marrë pjesë në mënyrë masovike në zgjedhjet për Parlamentin e studentëve dhe Këshillet e studentëve. Pjesëmarrja juaj në zgjedhje, siguron gjithëpërfshirjen e të gjithë akterëve në këtë proces, drejt synimit të përbashkët për një përfaqësim sa më të denjë në organet e përfaqësimit të studentëve.
Dihet mirëfilli që Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren është shembull në përfaqësimin dinjitoz të studentëve dhe punon vazhdimisht në ngritjen e rolit të studentëve në vendimmarrje, prandaj pjesëmarrja juaj në zgjedhje siguron kontinuitetin e përpjekjeve të vazhdueshme për një Universitet të vendosur për gjithëpërfshirje.
Siç jeni njoftuar tashmë, zgjedhjet do të mbahen në mënyrë elektronike, përmes platformës SMU (Sistemi i Menaxhimit Universitar), ku secili prej jush, në një mënyrë shumë komode, do të ketë të drejtë të votojë përmes llogarisë personale në këtë sistem.
Shfrytëzojmë rastin që të komplimentojmë organizatat pjesëmarrëse në zgjedhje, për fushatën e ndershme dhe demokratike, duke ju uruar suksese në garën e 10 Korrikut.
Ju faleminderit!
Komisioni i Zgjedhjeve të Studentëve në Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren




