

Konferenca e Rektorëve diskuton sfidat dhe prioritetet e arsimit të lartë publik në Kosovë
Gjakovë, — Konferenca e Rektorëve të universiteteve publike të Kosovës mbajti sot takimin e saj të rregullt në ambientet e Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë.
Takimi u kryesua nga Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, Rektor i Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren, i cili aktualisht mban edhe detyrën e Kryesuesit të Konferencës së Rektorëve.
Gjatë takimit u diskutuan çështje me rëndësi strategjike për zhvillimin dhe funksionimin e arsimit të lartë publik në vend. Në fokus të bisedimeve ishin angazhimet e përbashkëta për fuqizimin e komponentës shkencore dhe kërkimore në universitetet publike, si dhe përgatitjet dhe sfidat që lidhen me proceset e akreditimit institucional dhe programor, në përputhje me standardet e sigurimit të cilësisë.
Rektorët theksuan rëndësinë e koordinimit ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë publik, shkëmbimit të përvojave dhe praktikave të mira, si dhe ndërtimit të qasjeve të përbashkëta që synojnë avancimin e cilësisë akademike dhe përmirësimin e vazhdueshëm të performancës institucionale.
Në përmbyllje të takimit, u riafirmua roli i Konferencës së Rektorëve si një mekanizëm i rëndësishëm për harmonizimin e qëndrimeve të universiteteve publike, adresimin e sfidave të përbashkëta dhe forcimin e kontributit të arsimit të lartë publik në zhvillimin shkencor, ekonomik dhe shoqëror të Kosovës.











