Konstituohet Këshilli Administrativ i QKIDT-së, Prof. Ass. Dr. Nol Krasniqi zgjedhet kryesues
Të martën, më 24.1.2023 është mbajtur mbledhja konstituuese e Këshillit Administrativ të Qendrës për Kërkime, Inovacion dhe Transfer të Dijes (QKIDT) e Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren. Mbledhja është mbajtur në zyrat e QKIDT-së në hapësirat e Parkut të Inovacionit dhe Trajnimeve Prizren (ITP-Prizren). Pas konstituimit, me votim unanim është zgjedhur kryesuesi i QKIDT-së, Prof. Ass. Dr. Nol Krasniqi. Këshilli Administrativ është organi më i lartë drejtues i QKIDT-së. Profesor Krasniqi është një kuadër i ri që vjen nga universitetet prestigjioze evropiane për të kontribuar në zhvillimin e vendit. Pas përfundimit me sukses të doktoraturës së parë, ai është duke e kryer doktoraturën e dytë në Université Bourgogne Franche-Comté AgroSup Dijon/INRA (CESAER) – Dijon, nw Francë. Deri më tani ka qenë Shef për mësim në Fakultetin e Shkencave të Jetës dhe Mjedisit respektivisht në dy programet e studimeve, Agrobiznes dhe Shkencat e Pyjeve dhe Mjedisit. Pos menaxhimit ai është dëshmuar edhe në punë kërkimore dhe në zhvillimin e profesional të studentëve duke i angazhuar në projekte të rëndësishme ndërkombëtare.
Ndërkaq, në këtë mbledhje është diskutuar edhe për punët në vijim për krijimin e kapaciteteve operacionale të QKIDT-së. Në këtë kuadër janë formuar nëngrupet punuese për draftimin e strategjisë së QKIDT-së.